Futboll

Vllaznia thyen Dinamon me një eurogol dhe ngjitet e dyta. Tirana s’kalon dot Laçin me 10 vetë

Gazeta Si – Vllaznisë i ka buzëqeshur fati në stadiumin ‘Niko Dovana’, ku ka mundur 0-1 Dinamon dhe ka marrë vendin e dytë në renditje, duke u shkëputuar nga Partizani (43 ndaj 40 të të kuqve). Tirana nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Laçit, që luajti për 70 minuta më një lojtar më pak.

Ndeshja mes Dinamos dhe Vllaznisë ishte e bukur për t’u parë, me shumë raste për të dyja skuadrat. Vendosi një gol shumë i bukur nga jashtë zone i Rajan Alivodës në pjesën e parë. Shkodranët e mbrojtën me shumë forca atë qol, që u dha tri pikë të çmuara.

Dinamo në anën tjetër nuk pati fat, pasi përveç disa rasteve të mira që krijoi në zonën shkodrane, goditi edhe traversën me Lorenco Vilën.

Tirana kishte të gjitha mundësitë për t’u kthyer te fitorja, por nuk ia doli as ndaj një kundërshtari me 10 vetë që prej minutës së 20-të, kur mbrojtësi Paulo Silva u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje si lojtari i fundit.

Regi Lushkja shënoi golin e avantazhit në fillim të pjesës së dytë, megjithatë Laçi i Josës arriti të barazonte me Myrtën 12 minuta para fundit. Trajneri i ri i Tiranës, Erbim Fagu, pas barazimit në debutim me Teutën në Kupë, merr një tjetër barazim në kampionat. Tirana ngjitet në kuotën e 35 pikëve, aq sa ka edhe Dinamo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë