Gazeta Si – Mes ndeshjeve me Atletiko Madrid në Champions dhe Leçes në kampionat, trajneri Simone Inzagi konfirmoi vetëm 4 titullarë, duke u dhënë mundësinë linjave të dyta, Mes tyre edhe mesfushorit kuqezi, Kristjan Asllanit, i cili ishte protagonist në fitoren e thellë të zikaltërve.
Shtypi sportiv italian ka vlerësuar paraqitjen e Asllanit për aq sa ai qëndroi në fushë. Futbollisti shqiptar nuk ishte në nivelin e Fratezit, që shënoi golin e dytë dhe dha një asist, por gjithsesi tregoi një nivel të kënaqshëm.

“Në pjesën e parë Kristjan Asllani gjeti shumë bukur Lautaro Martinez në rastin e golit të avantazhit. Një prekje klasi me të jashtmen, e bukur dhe efikase. Asllani dhe Fratezi kanë treguar personalitet në fushë, duke zëvendësuar më së miri Barelën dhe Çalhanoglu.
Ata i kanë dhënë energji dhe orientim skuadrës dhe janë sjellë vërtet si titullarë, pa tension që tregon shpesh dikush që nuk është kolonë e rreshtimit tip të një skuadre”, – shkruan “La Gazzetta dello Sport” për ndeshjen e Asllanit dhe Fratezit në Leçe.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare po hedh kështu hapa të sigurt përpara njëri pas tjetrit. Asllani është gati në çdo moment për të mbajtur peshë edhe si titullar. Gradualisht ai do të jetë më i rëndësishëm për Interin dhe rrjedhimisht edhe për kuqezinjtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




