Futboll

Tregu anormal i trajnerëve në Shqipëri, stolat e Superiores si mësimore!

Fatjon Rupi – Në nivelin elitar të futbollit shqiptar mund të gjesh trajnerë me një cv shumë modeste. Disa klube marrin vazhdimisht vendime shumë të nxituara, të tjerë kursejnë dhe afrojë ‘të panjohur’ e disa të tjerë nuk godasin në shenjë…

Superiorja duhej të kishte normalisht ajkën e trajningut shqiptar në skuadrat e saj, por ky treg në Shqipëri duket krejtësisht i çrregullt, anormal, i pabazuar më kritere profesionale, shpesh një aventurë e rrezikshme. Dhe shkaqet janë të ndryshme, me të gjitha palët përgjegjëse për faktin që nuk kanë mundur të vendosin një lloj standardi.

Orges Shehi dhe Erbim Fagu

Ilir Daja, trajneri më i suksesshëm shqiptar, drejton në Kosovë, ku po shkruan historinë me Ballkanin. Shpëtim Duro, një tjetër trajneri i njohur i futbollit shqiptar, drejton në Maqedoninë e Veriut. Dhe atje janë shumë komodë nga ana profesionale.

Në Shqipëri trajnerët ndërrohen fare lehtë dhe shumë shpesh. Ekipi më i titullar në vend drejtohet aktualisht nga një trajner që për herë të parë mban postin e trajnerit të parë. Dhe ai është i treti për këtë sezon, kur ka kaluar pak më shumë se gjysma e tij. Edhe Partizani ka trajnerin e tretë në stol, kurse Kukësi mban rekord me trajnerin e 4-t.

Mjaftojnë të gjitha këto për të kuptuar se çfarë tregu trajnerësh kemi aktualisht në futbollin elitar shqiptar. Stoli kuksian duket vërtet një mësimore, por nuk mbeten prapa edhe klubet e tjera.

Paradoksalisht, Partizani largoi trajnerin me të cilin fitoi titullin, Xhovani Kolelën, dhe mori kroatin Zoran Zekiç. Ai u largua për të drejtuar në vendin e tij dhe skuadra iu besua drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj për shumë javë. Një vendim absurd, edhe pse lidhej me pritjen për Orges Shehin, që u largua nga Tirana në mënyrën më të komplikuar të mundshme, duke u pezulluar dhe pastaj duke fituar gjyqin në FSHF.

Presidenti Demi prezanton Arber Abilaliajn si trajner

Tirana nga ana e saj, pasi ‘burgosi’ për pak kohë Shehin, emëroi trajner Julian Ahmatajn, që gjithashtu e spostoi me një vendim fyes. Elbasanasi doli në konferencë shtypi një ditë para ndeshjes së Kupës dhe në mbrëmje në grumbullim pa trajnerin e ri bashkë me presidentin Halili. Situata që në botë ndoshta nuk hasen as në nivelin amator. Tashmë Tirana drejtohet nga Erbim Fagu, që nuk ka drejtuar aasnjëherë si trajner i parë.

I ndryshëm është rasti i Dinamos, që investoi shumë për të sjellë në stol një emër të njohur, si italiani Luixhi Di Biaxho, bashkë me ish-lojtarin e Kombëtares Ledian Memushaj, por nuk rezultoi zgjedhja më e mirë. Di Biaxho dështoi dhe vendin e tij e mori trajneri Dritan Mehmeti.

Laçi drejtohet nga trajneri i tretë aktualisht, një ekspert si Mirel Josa, kurse Erzeni drejtohet nga trajneri i dytë, Skerdi Bejzade, ashtu si Teuta, që e nisi me italianin Longo dhe vazhdoi me Martinin.

Një rekrod më vete është ai kohës së qëndrimit të disa trajnerëve në skuadrat të caktuara. Stavri Nica qëndroi vetëm 1 javë te Laçi në fillim të sezonit, Rrahman Hallaci dy javë dhe Emiljano Çela vetëm 3 javë në stolin e Kukësit, Skerdi Bejzade vetëm pak javë në stolin e Laçit. Të vetmet skuadra që nuk kanë ndërruar trajner deri tani janë Egnatia dhe Skënderbeu.

Stavri Nica e nis te Laçi sezonin, vazhdoi te Kukesi, tani drejton Shkumbinin

Në pak më shumë se gjysma e kampionatit, në Superiore sheh situata nga më absurdet për një nivel elitar futbolli. Tregun e trajnerëve në Shqipëri askush nuk është në gjendje ta lexojë, sepse funskionon pa rregulla dhe pa kritere.

Vërtet pa kritere, sepse sot një trajner ikën nga një ekip i Superiores dhe pas pak ditësh drejton në Kategorinë e Dytë, një trajneri shkarkuar në Kategorinë e Parë merr drejtimin e një skuadre të Superiores. Më shumë akoma: trajnerë që kanë dështuar në çdo aventure me klubet që marrin drejtimin e kombëtareve të moshave. Apo një trajner që pak sezone më parë ka dalë kampion dhe pret radhën në studiot televizive si opinionist. Një treg i padeshifrueshëm!

Lëvizjet e deritanishme të trajnerëve në Superiore
Partizani
– Zoran Zekiç, Arbër Abilaliaj, Orges Shehi
Tirana – Orges Shehi, Julian Ahmataj, Erbim Fagu
Dinamo – Luixhi di Biaxho, Dritan Mehmeti
Vllaznia – Migen Memelli, Qatip Osmani
Egnatia – Edlir Tetova
Kukësi – Rrahman Hallaçi, Stavri Nica, Emiljano Çela, Bledar Devolli
Laçi – Stavri Nica, Skerdi Bejzade, Mirel Josa
Erzeni – Alfred Deliallisi, Skerdi Bejzade
Skënderbeu – Ivan Gvozdenoviç
Teuta – Diego Longo, Edi Martini


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë