Politike

Amnistia Penale ‘del në shitje’/ Manja: S’ka kthim tek Ligjet, konsensusin e gjejmë në sallë. Do sigurojmë 90 vota

Amnistia Penale ‘del në shitje’/ Manja: S’ka kthim tek Ligjet, konsensusin e gjejmë në sallë. Do sigurojmë 90 vota

Grupi parlamentar i drejtuar nga Lulzim Basha nuk ishte të enjten në Kuvend. Grupimi tjetër brenda opozitës i drejtuar nga Gazment Bardhi nuk mori pjesë në votim. Vetë mazhoranca kishte 74 kartona të enjten pro çdo nisme të saj, përjashto tre votat e PDIU-së që u dhanë vetëm për marrëveshjen me Italinë për emigrantët.

Bledi Çuçi njoftoi Lindita Nikollën se kishte propozuar tërheqjen e draftit.

Në fund të seancës, Çuçi tha për mediat se PS-ja i kishte votat (84) porse bënë një lëvizje taktike për të siguruar konsensus sa më të gjere nisur nga rëndësia e përmbajtjes.   

“U tërhoqëm ne respekt  të traditës së deritanishme që të votohet me konsensus, sepse përfituesit e këtij ligji janë qoftë të majte apo të djathtë.

Ne i kemi solide votat tona. Ka dhe të tjerë brenda parlamentit që e votojnë amnistinë por ne jemi të duruar për të respektuar traditën”, tha Çuçi për gazetarët. Kreu i grupit parlamentar tha gjithashtu se opozita do të reflektojë.

PD-ja e Bashës ka kërkuar që PS-ja të tërhiqet nga amendamenti i fundit i propozuar tek Ligjet që ul dënimin për zyrtarët e dënuar nga GJKKO.      

Por ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha në një prononcim për mediat se drafti nuk do të kalojë më në komisionin e Ligjeve.  “Referuar rregullores së Kuvendit, drafti i amnistisë nuk kthehet në komisionin e Ligjeve. Kjo do të thotë, se fakti që e tërhoqëm, konsensusi duhet të gjendet në këtë sallë", tha ai.

Basha në një prononcim të mëvonshëm për mediat tha se hapi i parë që e zgjidh kompromisin është tërheqja nga propozimi për të përfituar zyrtarët e korruptuar

Që do të thotë se drafti për amnistinë penale riskon të kthehet në negociata individuale mes deputetësh, pa pritur qëndrimet politike të palëve kundërshtare. Kete e ka nuhatur edhe Basha kur tha se do të inspektojë këdo deputet të opozitës që voton amnistinë. Mesila Doda në anën tjetër e la të hapur votën për amnistinë në emër të PDIU

“Nuk kërkojmë bashkim votash as nga Basha as nga askush, por votat nga Kuvendi, e majta dhe e djathta, sepse amnistia është akt mëshire. E kemi për detyrë të japim votat për këtë akt mëshire. Ka mbi 4 vjet që ky parlament, duke iu shmangur traditës, nuk ka bërë amnisti.

“Nuk dua votat e Lulzim Bashës me kusht, ose për këdo tjetër. Duam votat e deputetëve, të lexojnë ligjin. Votat janë aty në atë sallë, të jeni të bindur që do të marrë 90 vota ky ligj. 140 do të marrë, sepse ndryshe nuk do të kenë fytyrë të dalin para njerëzve. Kur shkojnë nëpër zonat elektorale dhe njerëzit u kërkojnë amnisti, u premtojnë duke iu thënë se ligjin e kanë aty. Kur vijnë në Parlament pastaj transformohen”, tha Manja.

Deklarata e ministrit ishte e qartë, ashtu siç ishte edhe paralajmërimi i kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi, se votimi për draftin dështoi si pasojë e mos arritjes së pazareve mes disa individësh.

“Ju e patë në rendin e ditës nuk kishte asgjë të mirë për qytetarët, por për ligje me porosi në dobi të një grushti njerëzish, për shkak se nuk arritën pazaret e tyre hoqën dhe Amnistinë Penale, nga një ligj humanitar ku duhet të përfitonin qytetarë e zakonshëm në burg, e shndërruan në një ligj për të amnistuar zyrtarë të korruptuar. Tentuan dhe të mashtronin opinionin publik duke ia faturuar opozitës...”, tha Bardhi.

Grupi ‘Basha’ përcolli një qëndrim nga selia sa kohë mungoi në Kuvend, duke iu referuar deklaratës se Bledi Çuçit.

“Dëgjuam një deklarim të PS për arsyen se pse u hoq amnistia. Shpresoj të jetë pjesë e gënjeshtrave të këtyre ditëve dhe të mos jetë pjesë e pazarit të gjësë së gjallë për të peshkuar deputetë për të votuar...”

Një ditë më parë kryeministri Rama e shfaqi hapur pakënaqësinë e mos arritjes së dakordësisë kur e ironizoi keq Bashën në përgjigje të një pyetje drejtuar nga  media për amnistinë

Nuk e fshehu as ministri Manja ironinë. Ai tha se Basha ka kërkuar amnisti vetëm për protestuesit e periudhës 2018-2020: “Vetëm për ata të vetët. Ka kërkuar amnisti për shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës, etj. Po për ata që protestuan më 8 janar a do të ketë amnisti?”

Pika që ndan kompromisin me opozitën

Versioni parë i PS  

Nga kriteret për përfitimin e amnistisë nga ulja e dënimit përjashtohen:  Personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO.

Veprat penale nga të cilat nuk kishte përfitim  (sipas versionit të parë)

Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publik. Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendor Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike Shpërdorimi i detyrës për funksionarët e lartë publik, përfitimi i paligjshëm i interesave, shkelja e barazisë të pjesëmarrjes në tendera apo në ankande publike, korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publik, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendor, korrupsionit aktiv i dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit, korrupsioni aktiv i prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, korrupsioni aktiv  gjyqtarit ose zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare, korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj, korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja, korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, korrupsioni pasiv i zyrtarit ose i gjyqtarit të gjykatave ndërkombëtare, korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj, korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja, korrupsioni aktiv në zgjedhje, përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore 328/a, dhe akuzat penale kundër politikanëve më të lartë, përfaqësuesve më të lartë në vend nga Presidenti i Republikës te Kryetari i Kuvendit, nga kryeministri te anëtari i Këshillit të Ministrave, nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të Prokurorit të Përgjithshëm, inspektori i lartë i drejtësisë, kryetari i bashkisë, deputeti, zëvendës ministri, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, drejtues të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.

Versioni dytë i ndryshuar i PS

Të gjithë personat e dënuar që përfshihen në kategoritë sa më sipër përfitojnë 1 vit ulje dënimi për meshkujt dhe 1.5 vite për femrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë