Gazeta Si – Rrugët e Tomas Tuhel dhe Bajern Mynih do të ndahen në fund të sezonit. Palët kanë gjetur një akord miqësor dhe klubi bavarez ka bërë njoftimin zyrtar për të sqaruar situatën.
“Kemi rënë dakord që ta mbyllim raportin tonë të punës në fund të këtij sezoni. Deri atëherë do të vazhdoj të bëj gjithçka që është e mundur me stafin tim për të arritur suksesin”, – ka thënë Tuhel.

Ksabi Alonso, trajneri aktual i Bajer Leverkusen, është ëndrra e klubit më të titulluar në Gjermani, por duhet të fitojë konkurrencën e fortë me Liverpulin. Kandidatët e tjerë janë Antonio Konte, Zinedin Zidan dhe Zhoze Mourinjo, që të gjithë emra shumë të njohur të trajningut botëror.
Nuk do të ketë ndryshim deri në qershor. Kjo është linja që ka zgjedhur Bajerni. Klubi bavarez do të vazhdojë me Tuhel para se të bëjë një revolucion në verë. Një lloj ‘dead man walking’ për trajnerin, që e ka të qartë ‘divorcin’ në fund të një sezoni shumë larg pritshmërive.
“Gjatë një diskutimi të thellë kemi arritur në vendimin për përfundimin e bashkëpunimit në verë. Objektivi ynë është që të vazhdojmë drejtimin futbollistik me një trajner të ri në sezonin 2024/25, – ka thënë administratori i deleguar i Bajernit, Jan-Kristian Dresen. – Deri atëherë çdo individ i klubit duhet të japë maksimumin në Champions dhe në Bundesligë”.
Tuhel mori vendin e Nagelsman më 24 mars 2023 dhe ka kontratë deri më 30 qershor 2025, por nuk arriti të marrë rezultatet e kërkuara. Pasi fitoi titullin, falë vetvrasjes së Borusia Dortmund, ai humbi Superkupën e Gjermanisë, u eliminua nga kupa dhe tani është 8 pikë prapa Leverkusenit në kampionat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




