Politike

Aministia penale dhe falja e zyrtarëve të dënuar nga GJKKO / Përpjekja hileqare e PS për t’ia kaluar topin Rithemelimit

Nga Gazeta Si - Deri të martën në mesdite para se komisioni i Ligjeve t’i  jepte dorën përfundimtare draftit për Amnistinë Penale gjithçka ishte e qartë.

Në draft ishte rënë dakord për përfshirjen e veprave penale të lehta dhe kategoritë që përfitonin, me një përjashtim; Nga ky projektligj nuk përfitonin zyrtarët e dënuar nga GJKKO. Edhe pse PD e Rithemelimit nuk ka marrë pjesë fizikisht në diskutime, prania e tyre online hera herës nuk ka munguar.

I pari ishte deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferraj duke sjellë një amendament që kishte si qëllim të pushohen çështjet penale të pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat e Apelit, për veprat penale të kryera deri në datë 30.06.2023 për të cilat gjykatat e shkallëve të para kishin dhënë dënim me burgim deri në 2 vjet. Nga ky amendament përfitonte drejtpërdrejt deputeti  PD Ervin Salianji i cili për të shmangur çdo keqkuptim politik më vonë propozoi një  amendament të dytë që përjashtonte nga kjo kategori deputetët, pra veten. Edhe Enkelejd Alibeaj në anën tjetër propozoi një amendim që falte në thelb vetëm protestuesit në kohën kur tubimet drejtoheshin nga Basha.

Në një kohë kur nga PS-ja dhe PD-ja zyrtare kishin ardhur sinjale te qarta për bashkim votash, aq sa Bledi Cuçi do të njoftonte se drafti do të miratohej të enjten, befas në komisionin e Ligjeve kur do t’i jepej forma përfundimtare u servir (në mungesë) një amendament nga deputeti i PD-së, Bledion Nallbati.

Në thelb propozimi i Nallbatit synonte garantimin e barazisë midis të dënuarve meshkuj dhe femra,  duke rritur masën përfituese për të dënuarit meshkuj nga 3 vjet në 4 vjet. Duke qenë se vetë Nallbati nuk ishte i pranishëm në komision, nga deputetët e PS-së në mbledhje u la të kuptohej se pjesë e amendamentit të tij ishte edhe një paragraf për shfuqizimin e pikës 2 të nenit 5 të projektligjit që ne thelb parashikonte se edhe personat e dënuar nga GJKKO mund të përfitojnë ulje dënimi nga 1 deri në 1.5 vite burg. Por propozimi në fjalë, (sipas një shpjegimi të mëvonshëm të vetë Nallbatit) kishte ardhur nga deputeti dhe relatori i PS-së Plarent Ndreca.

Nga PD-ja zyrtare ishte i pranishëm vetëm Enkelejd Alibeaj.

Asnjë deputet i grupit parlamentar “Bardhi” nuk ishte pjese e mbledhjes apo te votonte pro projektligjit në Komisionin e Ligjeve.

Mungesa e vetë propozuesit dhe shkrirja e propozimit te tij me amendamentin 'Ndreca' krijoi një furtunë në ujë se ai që kish propozuar amendamentin ishte PD e Rithemelimit dhe jo PS. Në një prononcim për BIRN, vetë Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mohoi përmes një mesazhi telefonik që qeveria të kishte ndryshuar qëndrim për amnistimin e zyrtarëve publikë të dënuar për vepra penale të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës. “Amendamenti i Nallbatit u pranua pasi siguronte parimin e barazisë para ligjit” do të shprehej Manja.

“Në projektligjin për Aministinë, ndryshe nga sa ka dezinformuar Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, nuk kam propozuar asnjë amendament që synon apo parashikon faljen e zyrtarëve të korruptuar, që janë dënuar apo gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar...”, sqaroi një ditë më pas vetë deputeti i PD-së, Bledjon Nallbati.

Ndërkohë drafti për amnistinë penale është futur në rend dite për votim ditën e enjte, por pa ndryshimet e fundit të komisionit të Ligjeve. Nuk dihet nese PS-ja ka hequr dore, apo do ta perfshije gjate momentit te votimit

Vetë Basha u shpreh në një prononcim për mediat se PD-ja zyrtare nuk do të merrte pjesë në votim nëse PS-ja do të fuste propozimin e fundit që falte zyrtarët e dënuar nga GJKKO. Nëse ai propozim hiqet, Basha garantoi se do të kalonte paketën e amnistisë penale.

Kush përfiton nga amnistia:

1. Të dënuar burra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet dhe persona të dënuar me mbi 3 vjet, por që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 3 vjet.

2. Të dënuara gra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet dhe gra, që janë dënuar me vendim të formës së prerë mbi 4 vjet, që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 4 vjet.

3. Personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.

4. Personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

5. Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Nuk përfitojnë ata të dënuar për vepra penale:

krimet kundër njerëzimit;

krimet e rënda kundër jetës;

 veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit;

 krimet seksuale;

veprat penale kundër lirisë së personit;

 veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit;

 veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;

vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike;

vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve;

veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve;

vepra penale kundër mjedisit;

krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;

krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera;

vepra me qëllime terroriste;

krime kundër autoritetit të shtetit;

vepra penale kundër drejtësisë;

 vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve;

 vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.

Po ashtu, nuk përfitojnë edhe akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë