Gazeta Si – Një gol i sulmuesit austriak 11 minuta para fundit i ka dhuruar suksesin skuadrës së Inzagit në aktin e parë të 1/8-ve. Zikaltrit shpërdoruan shumë raste para portës së Oblak.
Interi ka mundur 1-0 Atletikon e Madridit në ndeshjen e parë të 1/8-ve të Championsit. Një fitore kjo që i jep një avantazh skuadrës italiane për kalimin në çerekfinale. Spanjollët shpresojnë te ndeshja e kthimit.

Në ‘San Siro’ Interi krijoi disa raste për gol në pjesën e parë me Turam dhe kapitenin Lautaro Martinez, por pa mundur të finalizonte. Francezi u dëmtua dhe në pjesën e dytë ia la vendin Arnautoviçit. Edhe austrikau gaboi para portës së Atletikos, por në fund gjeti golin e fitores, pasi Oblak priti më parë goditjen e Martinez.
Barela ishte ndër më të mirët për Interin, duke krijuar volum të madh loje, por edhe duke mbyllur disa kundërsulme të Atletikos. Spanjollët gabuan vendosjen në rastin e golit të Interit dhe tani do ta kenë shumë të vështirë për përmbysjen në ndeshjen e kthimit.
Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtare shqiptare, nuk pati fatin të luante asnjë minutë në këtë ndeshje.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes së sotme, PSV dhe Borusia Dortmund barazuan 1-1 në Holandë dhe kualifikimi do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Gjermani. Gjermanët shënuan të parët me Malen, holandezët barazuan me penallti me De Jong.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




