Futboll

Erbim Fagu zyrtarisht trajneri i ri i Tiranës, debuton që në ditën e parë të punës

Gazeta Si – Klubi i Tiranës ka zyrtarizuar sot trajnerin e ri. Erbim Fagu, 36 vjeç, ka marrë drejtimin e bardhebluve, pas largimit të Julian Ahmatajt një ditë më parë.

Fagu, ish-lojtar i Tiranës dhe disa skuadrave të tjera në vend, ka pasur një eksperiencë në Holandë me skuadra moshash. Ai ka qenë pjesë e stafit të Tiranës në sezonin 2021-2022, kur kjo skuadër fitoi titullin. Tani nis aventurën e parë si trajner i parë dhe e fillon direkt me ekipin më të titulluar në Shqipëri.

Fagu me Silvinjon dhe Zabaleten

“Klubi i Futbollit Tirana njofton zyrtarizimin e trajnerit Erbim Fagu. Pas një eksperience si lojtar i spikatur dhe trajner i moshave si brenda edhe jashtë vendit, Fagu rikthehet në shtëpinë bardheblu, tashmë si pjesë kryesore e pankinës së Tiranës.

Fagu është tekniku, i cili ka dhënë kontribut të madh gjatë gjithë rrugëtimit në sezonin 2021-2022 pranë bardhebluve, duke e ndihmuar ekipin e parë në rrugën drejt titullit kampion”, – shkuan klubi kryeqytetas në njoftimin zyrtar për emërimin e Fagut në krye të skuadrës.

Trajneri i ri do të debutojë në stolin e Tiranës që në ditën e parë të punës. Sot luhet ndeshja e Kupës së Shqipërisë me Teutën dhe ai do të drejtojë ekipin. Për bardheblutë Fagu është trajneri i 3-të i këtij sezoni, pas Orges Shehit dhe Julian Ahmatajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë