Futboll

Futbolli në zi, ndërron jetë Andreas Brehme! Kampion bote me Gjermaninë në 1990-ën

Gazeta Si – Futbolli në zi. Ka ndërruar jetë Andreas Brehme, kampion bote me Gjermaninë në 1990-ën. Ish-mbrojtësi i majtë u shua në moshën 63-vjeçare, në Mynih, pas një arresti kardiak sipas ‘Bild’.

Brehme ishte dërguar me shpejtësi mbrëmjen mes të hënës dhe të martës në një urgjencë afër shtëpisë, por mjekët nuk mundën ta mbanin në jetë.

Gjatë karrierës si lojtar, Andreas Brehme ka luajtur me Sarbryken, Kaiserslautern (ku më pas u bë edhe trajner), Bajernin e Mynihut dhe Interin në Itali, në periudhën 1988-1992. Me zikaltrit ishte protagonist i titullit të rekordeve në 1989-ën. Ka luajtur edhe në Spanjë me Real Saragozën.

Brehme lë pas bashkëshorten Susanne Schaefer dhe dy fëmijë të rritur nga martesa e parë me ish-gruan Pilar. Ai lindi më 9 nëntor 1960, në Hamburg dhe u fut në futboll që në moshën 5-vjeçare nga babai Bernd, një ish-futbollist diletant.

Në kohën e tij konsiderohej si një nga mbrojtësit e majtë më të mirë, i mbiquajtur “këmbëhekuri”, sepse në një ndeshje, me këmbën me frakturë, e mbuloi allçinë me fasho vetëm që të luante. Shënoi nga rreth 50 metra me këmbën e fashuar, por më pas u detyrua të bënte një operacion tjetër.

Në 1977-ën Hamburgu e mori pas një testi, por jo për skuadrën e parë. Brehme u nervozua, refuzoi të luante me këtë skuadër dhe shkoi te Sarbruken, ku fitoi edhe fanellën e Gjermanisë U-21. Në 1981-shin kaloi te Kaiserslauterni në Bundesligë. Pas Botërorit 1986 u bashkua me Bajernin. Në 1988-ën kaloi tek Interi, i këshilluar nga miku Brigel dhe aty gjeti mikun tjetër Mateus.

Të dy gjermanët ishin protagonistë të një skuadre solide të drejtuar nga Trapatoni. Interi fitoi titullin, që njihet si ‘titulli i rekordeve’ edhe falë depërtimeve nga e majta të Brehmes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë