Futboll

Tension dhe nerva te Bajerni, shmanget sherri mes Kimish dhe ndihmësit të Tuhel

Gazeta Si – Pas humbjes në kampionat me Bohumin, e treta radhazi për bavarezët, situata është tensionuar shumë. Mesfushori gati sa nuk është përplasur fizikisht me ndihmëstrajnerin.

Nuk ka paqe te Bajern Mynih. Përkundrazi, nervozizmi sa vjen dhe shtohet, me trajnerin Tomas Tuhel në fije të perit për shkak të rezultateve. Humbja me Bohumin thuajse ka prerë çdo shpresë të bavarezëve për titullin kampion, sepse tashmë janë -8 pikë nga Bajer Leverkusen. Mbretëria e Bajernit duket se do të bjerë pas 9 vitesh.

Pas ndeshjes së fundit, sipas ‘Bild’, pati një përplasje që për pak sa nuk degjeneroi në një përleshje me duar, mes Xhoshua Kimish dhe Zsolt Lou, ndihmësit të Tomas Tuhel. Ai që evitoi sherrin ishte kapiteni Manuel Nojer, që ndërhyri menjëherë për t’i ndarë.

Drejtuesit e klubit bavarez kanë votbesuar trajnerin Tuhel edhe pas disfatës me Bohumin, por duhet thënë se raporti mes tij dhe disa senatorëve është krisur përfundimisht. E ka pohuar këtë fakt edhe Lotar Mateus, ish-lojtar i shquar i Bajernit, aktualisht opinionist për ‘Sky Deutschland’. Mes lojtarëve që kanë përplasje me trajnerin, përveç Kimish, janë edhe Myler, Goretzka dhe De Ligt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë