Futboll

Milani dështon në parakalimin e Juventusit, skuadra e Piolit pëson 4 gola nga Monca

Gazeta Si – Skuadra vendëse gjeti dy herë golin në fundin e pjesës së parë, kuqezinjtë rikuperuan me Zhiru dhe Pulisiç. Bondo në minutën e fundit dhe Kolombo në shtesë i dhanë goditjen Milanit, që dështon kështu në tentativën për t’i marrë vendin e dytë Juventusit.

Në ndeshjen e fundit të javës së 25-të të Serisë A, Milani është mundur 4-2 në fushën e Moncës dhe ka mbetur në kuotën e 52 pikëve, 2 më pak se Juventusi dhe 11 më pak se Interi kryesues.

Ishte një ndeshje rokamboleske në ‘U Power Stadium’, me të zotët e shtëpisë që e mbyllën pjesën e parë në avantazh 2-0, me një penallti të shënuar nga Pesina dhe një gol të Motës. Milani mbeti me 10 vetë thuajse gjithë pjesën e dytë, pasi Joviç u ndëshkua me karton të kuq.

Megjithatë, djemtë e Piolit gjetën forcën të reagonin fillimisht me Zhiru dhe pastaj me Pulisiç 2 minuta para fundit, duke barazuar 2-2. Bondo shtangu sërish Milanin me një gjuajtje nga distanca, ndërsa golin e katërt e shënoi Kolombo në minutën e 5-të shtesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë