Gazeta Si – ‘Asgjë personale me Tiranën’, – deklaronte dje në konferencën e shtypit trajneri Orges Shehi, që tashmë derbin e kryeqytetit do ta përjetojë nga stoli i kuq dhe jo më nga ai bardheblu. Partizani i tij, me 2 pikë në 4 ndeshjet e fundit, duhet patjetër të japë një sinjal sot në ‘Air Albania’.

Pritet një derbi mjaft i ndezur mbrëmjen e sotme, duke nisur nga ora 19:00. Interesimi ka qenë i madh edhe këtë herë, pavarësisht se dy skuadrat nuk janë në formën e tyre më të mirë. Në ‘Air Albania’ priten më shumë se 10 mijë tifozë. Partizani po kalon një krizë rezultatesh, ndërsa Tirana në anën tjetër rrezikon shumë edhe vendin e 4-t.
Të dyja skuadrat nuk kanë asgjë për të humbur, ndërsa ndonjë mungesë nuk mund të sherbejë si justifikim. Kush humb sot, e komplikon jo pak çështjen e ‘Final 4’, pasi skuadra e tjera, si Dinamo dhe Laçi, janë gati të përfitojnë.
Partizani ka 3 pikë më shumë në tabelën e renditjes, 37 ndaj 34 të Tiranës, por te kampionët në fuqi është rritur jo pak presioni nga zhgënjimet e javëve të fundit. Shehi do të synojë fitoren e parë në një derbi si trajner i të kuqve për t’i dhënë një tjetër drejtim skuadrës në këtë fazë finale të kampionatit.
Tifozët pritet t’i japin derbit ngjyrat e duhura, ndërsa policia ka marrë masat bashkë me klubet për të mos pasur incidente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




