Gazeta Si – Java e 24-t e Superiores sjell derbin e zjarrtë mes Partizanit dhe Tiranës, që zhvillohet të premten, në orën 19:00, në ‘Air Albania’. Është një nga ndeshjet më të rëndësishme, aq më tepër që dy skuadrat vijnë pas një krize në një sezon me jo pak ulje-ngritje.
Shifrat tregojnë se do të jetë një derbi sulmues, pasi Partizani dhe Tirana janë dy skuadrat që e godasin më shumë portën kundërshtare. Partizani është pak më përpara, me 12 gjuajtje drejt portës për ndeshje, kurse Tirana e ka mesataren me 11.4 goditje.

Dy skuadrat kryeqytetase gjuajnë edhe më shumë se Egnatia kryesuese, që e ka këtë statistikë poshtë 11 goditje për ndeshje.
Në anën tjetër, si Partizani, ashtu edhe Tirana, kanë probleme në lojën mbrojtëse. Këto skuadra renditen respektivisht në vendet 5 dhe 7 në bazë të statistikës të goditjeve që marrin drejt portës së tyre nga kundërshtari. Të kuqtë marrin 9.74 gjuajtje drejt portës, Tirana 11 gjuajtje.
Skuadra më e mirë në lojën mbrojtëse është Vllaznia, me 8.81 gjuajtje drejt portës së saj, Egnatia vjen e dyta me 9.13 gjuajtje.
Vështirë të parashikohet në këtë derbi përqindja e mbajtjes së topit, sepse deri më tani Partizani, Tirana dhe Egnatia janë tri skuadrat që dominojnë në këtë statistikë, me një mesatare më shumë se gjysmën e ndeshjes.
Tirana mund ta fitojë derbin si grup, ndërsa Partizani mund të triumfojë me anë të lojtarëve të ndryshëm. Dy skuadrat janë cilësisht të përafërta dhe në ‘Air Albania’ pritet një përplasje emocionuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




