Futboll

Radha e Kristjan Asllanit, rotacion tek Interi në kampionat ndaj Salernitanës

Gazeta Si – Trajneri Simone Inzagi nuk bëri asnjë lëvizje nga titullarët në ndeshjen e fundit me Romën, sepse donte me çdo kusht tri pikët, që arriti t’i merrte. Tani situata ndryshon, aq më shumë pas humbjes së Juventusit dhe diferencës prej 7 pikësh, me një ndeshje më pak.

Në ndeshjen e kësaj fundjave në kampionatit Interi do të bëjë rotacion, sikurse është logjike, sepse pastaj do të ketë përballjen e Chmpionsit. Ndaj Salernitanës kryesuesit e Serisë A pritet që të paraqiten me ndryshime në çdo repart dhe në mesfushë do të jetë radha e Kristjan Asllanit.

Mesfushori kuqezi dhe Klasen janë dy kandidatë kryesorë për të luajtur në këtë ndeshje, ndërsa Fratezi ka pasur probleme fizike. Mbetet të mësohet tani vendimi përfundimtar i trajnerit Inzagi, nëse Asllani do ta nisë nga minuta e parë apo jo. Edhe nëse e nis nga stoli, ai me siguri do të marrë minutat e tij në pjesën e dytë.

Gjatë këtij sezoni futbollisti shqiptar ka luajtur pak ndeshje si titullar. Hera e fundit ishte transferta me Fiorentinën, ku mori vlerësime për paraqitjen e bërë si nga trajneri, ashtu edhe nga opinioni sportiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë