Futboll

Hysaj sot përballë Bajernit në Champions, Real Sociedad sfidon PSG-në

Gazeta Si – Pas Mançester Sitit dhe Real Madridit, dy skuadra të tjera big luajnë sot në mbrëmje aktin e parë të 1/8-ve në Champions. Lacio pret Bajernin e Mynihut, kurse PSG ndeshet me Real Sociedad.

Natyrisht, më shumë vëmendje merr sfida që do të luhet në ‘Olimpico’ mes Lacios së Elseid Hysajt dhe Bajernit. Gjermanët, një nga klubet e suksesshëm të Championsit, vijnë pas humbjes 3-0 në kampionat dhe me një sërë mungesash, ku veçohen Koman, Gnabri dhe Devis.

Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, ishte titullar në kampionat me Lacion dhe sot gjithashtu pritet ta nisë nga minuta e parëi. Trajneri Sarri u shpreh para ndeshjes se bavarezët përballohen vetëm duke menduar se nuk janë të pathyeshëm. Lacio vjen në këtë përballje me një grup të plotë.

PSG në ndeshjen tjetër konsiderohet favorite, edhe pse Real Sociedad ka bërë një paraqitje shumë të mirë në fazën e grupeve. Mbape me shokë nuk do ta kenë aq të lehtë, megjithatë mbeten favoritë absolutë për fitore në ndeshjen e sotme dhe për kalimin në çerekfinale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë