Gazeta Si – Mançester Siti dhe Real Madrid nuk gabojnë në ndeshjet e para të 1/8-ve në Champions. Dy skuadrat e mëdha kanë fituar jashtë fushe dhe tashmë shohin drejt çerekfinaleve, por nuk kanë munguar polemikat sa i takon ndeshjes së luajtur në Gjermani.

Pas një pjese të parë me shumë vuajtje, skuadra e Ançelotit shënoi golin e fitores në fillim të pjesës së dytë me Brahim Diaz, falë aftësive individuale të ish-lojtarit të Milanit. Lajpcigu u mundua më të gjitha forcat të barazonte dhe rrezikoi disa herë në portën e Lunin, por gjithashtu mund të ishte ndëshkuar në kundërsulm. Vinicius u ndal nga shtylla në minutën e 72-të.
Ndeshja nisi me polemika, sepse pas 2 minutash Sesko shënoi për gjermanët, por goli u anulua për pozicion jashtë loje të Henrishs, të gjykuar aktiv në aksion. Arbitri as nuk u thirr në monitor për këtë episod dhe në rrjetet sociale shpërthyen akuzat për favorizim të Realit.
Në ndeshjen tjetër, Mançester Siti bëri detyrën ndaj Kopenhagenit në Danimarkë. Skuadra e Guardiolës fitoi 1-3 dhe kalimi në çerekfinale duket thjesht një formalitet, ndërsa ëndrra daneze thuajse është shuar që pas 90 minutave të para. Për Mançester Sitin shënuan De Brujne, Bernando Silva dhe Foden.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




