Futboll

Barcelona ka zgjedhur Rafael Leaon, në verë sulmi katalanas për yllin e Milanit

Gazeta Si – Me kreun e La Ligës shumë larg, Barcelona ka nisur të planifikojë të ardhmen. Për momentin në vëmendje është pasuesi i Ksavit në stol, por drejtuesit katalanas duket se kanë fiksuar edhe dy “objektiva strategjikë” për të forcuar grupin.

Barcelona kërkon një mesfushor qendre, të fortë fizikisht që ta bëjë këtë repart më solid, si dhe një sulmues anësor, që të jetë në gjendje të garantojë aksione të shpejta befasuese dhe gola. Dhe lojtari i zgjedhur për profilin e dytë, sipas të përditshmes spanjolle ‘Sport’, është Rafael Leao.

Leao me fanellen e Milanit. Gazeta Si, 13 shkurt 2024

Portugezi i Milanit, që ndiqet edhe nga PSG, ka të gjitha karakteristikat për të zotëruar linjën e majtë të Barcelonës. Buxheti në dispozicion për këtë operacion mund të jetë nga ata më të rëndësishmit, kurse për mesfushorin katalanasit nuk duan të shpenzojnë më shumë se 40 milionë euro.

Në fillim, gjithmonë sipas ‘Sport’, katalanasit kanë kërkuar informacion për Leroi Sané, por ai ka vendosur të rinovojë me Bajernin dhe kështu fokusi i Barcelonës ka shkuar te Leao. Për këtë lojtar ka pasur interesim edhe para rinovimit me Milanin.

Portugezi konsiderohet një ‘top player’, si për teknikën në shpejtësi, ashtu dhe për aftësitë shënuese, edhe pse këtë sezon nuk ka spikatur si bomber te kuqezinjtë.

Rafael Leao qëndron në krye të listës së dëshirave të Barcelonës për sezonin e ri, kështu që në verë klubi spanjoll do të hidhet në sulm. Vetë lojtari nuk dëshiron të kthehet në Ligue 1, kështu që Barça është e favorizuar në raport me PSG-në. Por mund të ketë ndonjë surprizë nga Premier Liga.

Leao ka kontratë me Milanin deri në 2028-ën, me një klauzolë për prishjen e parakohshme të saj për 150 milionë euro. Një shifër e papërballueshme për Barcelonën në këtë moment, por me një ulje dhe futjen në operacion të ndonjë lojtari, mund të shkohet në një marrëveshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë