Gazeta Si – Mbrëmjen e sotme rikthehet Championsi me dy prej ndeshjeve të fazës së 1/8-ve, fazës me eliminim direkt. Në fushë zbresin kampionët në fuqi të Mançester Sitit që përballen me Kopenghagen, si dhe Real Madrid që luan në Gjermani ndaj Lajpcigut.
Për Mançester Sitin është një ndeshje e lehtë në letër, edhe pse jashtë fushe. Diferencat mes dy skuadrave janë shumë të mëdha. Trajneri Pep Guardiola ka ngritur në qiell sulmuesin Haland gjatë konferencës së shtypit, duke thënë se ai ka numra më të mirë se të Mesit dhe Kristiano Ronaldos në moshën e tyre.

Edhe Real Madrid është favorit sot ndaj gjermanëve të Lajcigut, pavarësisht mungesave të rëndësishme që ka trajneri Karlo Ançeloti. Belingham u është shtuar së fundi mungesave të Kurtua, Alaba, Militao dhe Rudiger, praktikisht gjithë lojtarëve të prapavijës. Dita para ndeshjes ka shkuar pak ters për spanjollët, që patën një problem me autobusin gjatë rrugës.
Ançeloti ka theksuar se ky është sezoni më i mirë në karrierën e tij, duke i dhënë një sinjal të qartë kundërshtarit. Reali mbetet Real në Championas, pavarësisht se me cilët lojtarë zbret në fushë.
Mbrëmjen e sotme debuton në Champions edhe topi i ri, i prodhuar nga Adidas-i. Me këtë top skuadrat do të luajnë nga sot e deri në finalen e 1 qershorit në ‘Wembley’. Topi i ri zyrtar i Championsit quhet ‘UCL Pro Ball London’.
Është një top i frymëzuar nga Londra, me dy luanë që luftojnë mes yjeve. Luani është simboli i historisë dhe kulturës së pasur angleze, por përfaqëson edhe kurajën dhe forcën e lojtarëve , përveçse madhështinë e trofeut më të dëshiruar në panoramën e futbollit europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




