Futboll

Ernest Muçi menjehërë titullar te Beshiktashi, Arbnor Muja debuton me gol në Turqi

Gazeta Si – Ernest Muçi dhe Arbnor Muja, dy lojtarët e Kombëtares që u transferuan në fundin e merkatos në kampionatin turk, sot kanë bërë debutimin me skuadrat e tyre të reja. Muçi luajti titullar me Beshiktashin, kurse Muja si zëvendësues me Samsunsporin.

Pas asaj pritjeje madhështore që iu bë pak ditë më parë në Turqi, Muçi luajti dhe ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e Beshiktashit. Ai e nisi titullar transfertën me Kaiserisporin, që përfundoi në barazim, 0-0.

Muçi luajti në vendin e Milot Rashicës së dëmtuar në krahun e djathtë të sulmit. Paraqitja e tij ishte e mirë në këtë ndeshje dhe vlerësimet nuk munguan. Te Beshiktashi janë të bindur se kanë bërë një investim të mirë me blerjen e sulmuesit kuqezi nga Legia e Varshavës. Tani presin golat e ish-lojtarit të Tiranës, për të cilin u shpenzuan 10 milionë euro.

Arbnor Muja u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes mes Samsunsporit dhe Antaliasporit, që përfundoi 2-0. Ai u fut në fushë në minutën e 69-të, por kaq mjaftoi që të gjente golin e parë në futbollin turk. Muja shënoi golin e dytë për skuadrën e tij në kohën shtesë. Një nisje e mirë për sulmuesin anësor që la Belgjikën për Turqinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë