Futboll

Interi tregon forcën, fitore me përmbysje ndaj Romës dhe ‘arratiset’ +7 nga Juventusi

Gazetas Si – Gola dhe emocione në ‘Olimpico’, ku Interi arriti të fitojë 2-4 ndaj Romës dhe të ‘arratiset’ plus 7 nga Juventusi. Një ndeshje me dy përmbysje kjo, e para për Romën e De Rosit dhe e dyta për të besuarit e Inzagit.

Për javën e 24-t të Serisë A, Interi ka kaluar edhe pengesën Roma, duke fluturuar +7 në krye të klasifikimit. Ishte një ndeshje emocionuese, ku 6 golat e shënuar e bënë spektakolare.

Roma e nisi fuqishëm ndeshjen, por të parët shënuan zikaltrit me anë të Açerbit, i cili shtangu Rui Patricion në minutën e 17-të. Skuadra e De Rosit reagoi mirë, barazoi me një gjuajtje me kokë të Mançinit dhe në fundin e pjesës së parë kaloi në epërsi me golin e El Sharauit.

Në pjesën e dytë kryesuesit e Serisë A e rritën shumë nivelin. Turam barazoi në të 49-të, më pas erdhi autogoli i Angelino vetëm pas pak minutash. Bastoni ‘vulosi’ pokerin e Interit në kohën shtesë.

Romelu Lukaku, i cili ishte një fantazmë në ndeshjen e fazës së parë me Interin, stonoi edhe këtë herë. Interi tregoi vlerat e tij me lojën e zhvilluar në pjesën e dytë dhe tani pret i qetë rezultatin e Juventusit në Udine.

Kristjan Asllani, edhe këtë herë nuk pati fatin të zbriste në fushën për Interin, duke e shijuar fitoren nga stoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë