Gazeta Si – Për herë të fundit kishte fituar në vitin 2009, po 2-1 dhe po ndaj Partizanit. Sot, pas 15 vitesh, Dinamo ka arritur të triumfojë në derbin me të kuqtë. Kuptohet, këtu ndikon periudha e gjatë e bluve larg elitës së futbollit shqiptar.
Ishte një fitore me përmbysje për Dinamon, nga 0-1 në 2-1. Në stadiumin ‘Niko Dovana’ u luajt një ndeshje e nivelit mesatar dhe thuajse e barabartë, e vendosur nga disa episode.

Mba kaloi Partizanin në avantazh që në fillimin e ndeshjes, duke shfrytëzuar një top të mbetur në zonën kundërshtare. Dinamo tentoi disa herë të barazonte dhe Denison pati një rast të artë, por u ndal nga Hoxha. Cara shënoi edhe një gol të dytë për Partizanin, por që VAR-i e anuloi për një faull të Mba në fillim të aksionit.
Në pjesën e dytë Dinamo barazoi me Kaçorrin, i cili dërgoi në rrjetë një top të kthyer nga Hoxha. Në fundin e ndeshjes Lorenco Vila shënoi golin e fitores për blutë. Ai hoqi fanellën në atë moment dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Goli u anulua fillimisht për pozicion jashtë loje, pastaj u konfirmua nga VAR-i.
Për Dinamon ishte fitorja e tretë radhazi, kurse Partizani ka katër ndeshje që nuk fiton. Kampionët në fuqi kanë dy humbje dhe dy barazime në këto javë, duke mbetur 11 pikë pas Egnatias, që sot barazoi pa gola ndaj Laçit.
Në Shkodër Vllaznia mundi sot 2-1 Teutën, duke u barazuar me pikë me Partizanin, nga 37 secili. Për shkodranët shënuan Gruda dhe Çoba.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




