Gazeta Si – Empoli fitoi 1-3 mbrëmjen e së premtes në fushën e Salernitanës, ku mori 3 pikë të çmuara në luftën për mbijetesë në Serinë A. Prej 4 javësh ‘skuadra e shqiptarëve’ nuk humbet, ka 2 fitore dhe 2 barazime, që e kanë larguar disi nga zona e ftohtë e renditjes.
Nga kuqezinjtë në fushë ishte vetëm mbrojtësi Ardian Ismajli, i cili bëri një para qitje shumë të mirë në këtë transfertë. Mbrojtësi i Kombëtares, i vlerësuar me notën 6.5 nga shtypi sportiv italian, nuk mungon në formacion dhe është një garanci për trajnerin Nikola.

Ashtu si Gjimshiti tek Atalanta, edhe mbrojtësi tjetër titullar i Kombëtares shqiptare po bën një sezon shumë të mirë me Empolin. Nëse të dy ruajnë këtë formë deri në Europianin e Gjermanisë, pa dyshim kuqezinjtë do të kenë një pikë shumë të fortë në prapavijë.
Ndryshe është situata me portierin Etrit Berisha, i cili prej disa javësh është ‘spektator’. Trajneri Silvinjo ka të drejtën të shqetësohet për portën, pasi Berisha dhe Strakosha nuk po luajnë me klubet e tyre. Po ashtu, edhe sulmuesi Stiven Shpendi qëndroi gjithë kohën në stol në ndeshjen e fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




