Gazeta Si – Tri ndeshje të javës së 23-të të Superiores luhen sot dhe mes tyre sigurisht spikat derbi Dinamo-Partizani, që luhet në stadiumin e Durrësit, në orën 17:00. Klubi Dinamo ka kontratë me stadiumin ‘Niko Dovana’ për ndeshjet si pritës dhe derbi nuk ka bërë përjashtim, edhe pse të gjithë do të donin ta shikonin këtë sfidë në kryeqytet.
Dinamo vjen pas dy fitoresh radhazi dhe është afër zonës së 4-shes. Ende nuk ka mundur të fitojë asnjë derbi në këtë sezon dhe sot do të bëjë përpjekjen e gjashtë për ta thyer këtë tabu.

Partizani në anën tjetër nuk fiton prej tri javësh, por nuk ka presion, siç ka pohuar edhe vetë trajneri Shehi. Është skema e kampionatit që nuk sjell trysni në situata të tilla, mjafton që kampionët në fuqi të jenë në 4-shen e parë në fund të 36 javëve të kampionatit të rregullt.
Në fushë zbret sot edhe Egnatia kryesuese, që pret Laçin. Shkëputjen në krye me 10 pikë nga Partizani rrogozhinasit nuk po munden ta shijojnë, sepse në ‘Final 4’ gjithçka mund të zhvlerësohet, duke qenë se nis çdo gjë nga zero.
Në Shkodër luhet sfida tjetër mes Vllaznisë dhe Teutës. Durrsakët, që për shkodranët janë si një ‘mace e zezë’, luftojnë për mbijetesë dhe do të përpiqen me të gjitha forcat të marrin pikë në ‘Loro Boriçi’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




