Gazeta Si – Merkatoja dimërore në Europë kishte si protagonistë edhe futbollistët e Kombëtares shqiptare. Lëvizja e fundit është kjo e sotmja, ku sulmuesi Ernest Muçi sapo ka kaluar te Beshiktashi në Turqi. Një transferim që i ka kushtuar 10 milionë euro klubit turk.

Pak ditë më parë kanë ndërruar skuadër edhe dy lojtarë të tjerë të rëndësishëm të Kombëtares, Armando Broja dhe Marash Kumbulla. Janë lëvizje të një natyre tjetër në fakt, sepse që të dy janë huazuar nga klubet e tyre, përkatësisht Çelsi dhe Roma.
Broja u bashkua me Fulhemin, ku mund të luajë më shumë se te Çelsi deri në verë. Ai ka bërë tashmë edhe debutimin me skuadrën e re. E njëjta gjë vlen edhe për mbrojtësin Kumbulla, i cili është bashkuar me Bajramin te Sasuolo në Serinë A, por ende nuk ka luajtur me këtë skuadër.
Janë lëvizje të rëndësishme, që pritet t’i ndihmojnë këta futbollistë të kapin formën më të mirë në gjysmën e dytë të sezonit dhe të jenë gati për Europianin e Gjermanisë. Silvinjo po i monitoron të gjithë.

Në merkaton dimërore janë lakuar ndërkohë edhe emra të tjerë kuqezinjsh, me në krye Jasir Asanin, golashënuesin e eliminatoreve të fundit. Gjasat janë që ai të kalojë në futbollin arab. Arbnor Muja është përfolur gjithashtu për një kalim të mundshëm nga Belgjika në Turqi.
Një transferim të rëndësishëm ka bërë në janar edhe ish-sulmuesi i Shpresave, Indrit Tuci, i cili ka kaluar nga Lokomotiva e Zagrebit te Sparta e Pragës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




