Gazeta Si – Në ditën e fundit të merkatos në Turqi, Beshiktashi ka vendosur të ‘hapë thesin’ dhe të bëjë një investim të konsiderueshëm për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi. Futbollisti 22-vjeçar dhe dy klubet, Beshiktashi dhe Legia e Varshavës, kanë arritur akordin total dhe kanë firmosur kontratën e re.
Muçi pritej të lëvizte nga Polonia dhe u duk se do ta bënte në verë këtë gjë, por Beshiktashi ka këmbëngulur për ta marrë menjëherë lojtarin dhe për ta vënë atë nën urdhrat e trajnerit Santos.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare bashkohet kështu me një nga skuadrat më të mëdha turke, që merr pjesë sistematikisht në kompeticionet europiane. Te Beshiktashi ai gjen Milot Rashicën, sulmuesin e Kosovës.
Muçi ka firmosur një kontratë 3.5-vjeçare me klubin turk, që sipas burimeve jo zyrtare mësohet se do të derdhë në arkat e Legias 10 milionë euro. Nëse kjo shifër është reale, Tirana do të përfitonte 1 milionë euro, sepse ka mbajtur 10% të vlerës së kartonit të futbollistit.
Beşiktaş’a hoş geldin Ernest Muci! 🦅 pic.twitter.com/sVVoqznjON
— Beşiktaş JK (@Besiktas) February 9, 2024
Kalimi te Beshiktashi është një hap përpara në karrierë për Muçin. Për të kishte interes edhe nga klubi tjetër turk Trabzanspor, Anderlehti dhe anglezët e Fulhemit dhe Notingam Forest.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




