Futboll

Hong Kongu urren Mesin dhe Inter Majemin! Miqësorja që u kthye në një incident politik

Gazeta Si – Akuza të rënda, pasi Lionel Mesi nuk luajti në miqësoren në ish-koloninë angleze, ndërsa 3 ditë më pas zbriti në fushë në Tokio.

Qeveria e Hong Kongut u ka kërkuar Inter Majemit dhe Lionel Mesit shpjegime zyrtare, pasi ylli argjentinas luajti në një miqësore në Tokio, por jo në Hong Kong 3 ditë më parë. Zyra e kulturës, sportit dhe turizmit të Hong Kongut, me anë të një komunikate, ka shprehur indinjatën, ashtu si tifozët, për mungesën e Mesit në fushë.

‘Mesi nuk luajti për shkak dëmtimi, por vetëm tri ditë më pas ishte në gjendje të luante në Japoni. Qeveria pret që organizatorët dhe skuadra të japin shpjegime për këtë fakt”, – shkruhet në komunikatë.

Mesi ne stol gjate miqesores ne Hong Kong

Shumë tifozë mbetën të zhgënjyer të dielën e kaluar për mungesën e Mesit në stadiumin me 40.000 vende të gjithin të ezauruar. Bileta për të parë nga afër atë miqësore shkonte deri në 640 euro dhe shumë tifozë kanë kërkuar rimbursim më pas.

Gerardo Tata Martinez, trajneri i Inter Majemit, tha se Mesi nuk ishte në gjendje të luante. Në Tokio Leo u fut në fushë në minutën e 60-të të ndeshjes së humur me penallti ndaj Visel Kobe. “Kushdo që më njeh, – tha argjentinasi, – e di që dua të luaj gjithmonë, sidomos në këto ndeshje, ku vijnë tifozë nga larg për të na parë. Shpresoj që të kthehemi në Hong Kong herët a vonë”.

Në Tokio shumë sektorë të stadiumit mbetën bosh, pas asaj që ndodhi në Hong Kong. E përditshmja ‘Global Times’, organ i shtetit kinez, ka shkruar për diferencën e trajtimit të rezervuar në Hong Kong: “Ajo ndeshje ishte e vetmja që Mesi nuk luajti në 6 miqësore, çka ngre dyshime për integritetin e Inter Majemit dhe vetë Mesit.

Kishte tifozë të ardhur nga Xinjiang, që kishin udhëtuar 12 orë për ta parë. Zhgënjimi i tyre dhe qeverisë është i madh. Impakti i këtij incidenti shkon përtej kufijve të sportit”. Regina Ip, zëdhënëse e qeverisë së Hong Kongut, në X ka sulmuar futbollistin dhe skuadrën amerikane: “Populli i Hong Kongut e urren Mesin, Inter Majemin dhe dorën e zezë që i lëviz, sepse me vullnetin e tyre ata snobuan Hong Kongun”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë