Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka depozituar në Kuvend amendamentin për disa ndryshime në projektligjin për Sigurinë Kombëtare
Si pjesë të strategjisë së sigurisë kombëtare, kryetari i PD propozon dhe përfshirjen e mbështetjes nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës në formën e ndihmës financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë në vlerën prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024.
"Sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Kosovë nuk ishte një incident i izoluar. Përpjekja për të inskenuar tensione permanente në disa vende të rajonit dhe në veçanti infiltrimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, tregojnë qartë për një strategji destabilizimi dhe zhytjen e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimin e krahut juglindor të NATO-s", - argumenton kreu demokrat
Ndihma financiare e Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës, sipas Bashës, duhet të ofrohet me qëllim rritjen e kapaciteteve të saj të sigurisë për të penguar me çdo kusht aktorë të tretë që synojnë të shfrytëzojnë çështjet ndëretnike për të influencuar zhvillimet e brendshme politike, dhe amplifikuar problematikat ekzistuese me qëllim destabilizimin e rajonit dhe përkeqësimin e parametrave të sigurisë.
Propozimi i dytë lidhet me trajtimin e rrezikut që vjen nga korrupsioni në nivele të larta.
Për këtë arsye, kryetari i PD propozon përfshirjen në strategjinë e sigurisë kombëtare të fuqizimit të bazës ligjore dhe instrumenteve të kontrollit të integritetit të figurës së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.