Gazeta Si – Miliona euro për ata që marrin pjesë dhe mbi të gjitha për ata që shkojnë larg në këtë kompeticion. Klube si Mançester Siti apo Real Madrid rrisin avantazhin ndaj të tjerëve.
Futbolli europian po hyn në një erë të re, të destinuar për të ndryshuar ekuilibrat e forcave në fushë: era e Championsit me 36 skuadra, 1 grup të vetëm dhe play-off-it për t’u kualifikuar në 1/8-at. Dhe mbi të gjitha, me një mal me euro në lojë.

Nga sezoni i ardhshëm do të ketë më shumë të ardhura për të gjithë. Për të gjithë ata që marrin pjesë, sigurisht, dhe në veçanti për skuadrat më të mira. Ato që do të shkojnë në fund kompeticionit, do të mbulohen me ar. Shtohet gati gjysmë miliardi euro në krahasim me sezonet e fundit, duke përfshirë edhe këtë aktual. Një festë për çdo klub që merr pjesë.
Duke përjashtuar ndonjë surprizë, përpara pritet të shkojnë klubet me mundësi më të mëdha investimi: Mançester Siti, Real Madrid, Bajern Mynih, PSG. Skuadra që do të fitojë trofeun, mund të arkëtojë më shumë se 150 milionë euro. Dhe do të hyjë në erën e re nga dera kryesore.
Parashikimi është që klubet e pasura të bëhen edhe më të pasura, rrjedhimisht edhe më të fortë, ndërsa më pak të pasurit do të jenë të detyruar të largohen nga më të mirët. Jo vetëm kaq, edhe në kampionatet kombëtare do të rriten diferencat mes atyre që marrin pjesë në Champions dhe atyre që mbeten jashtë.
Interi, Juventusi dhe Milani, që duket se kanë në dorë kualifikimin për Championsin e ardhshëm, mund ta rritin fuqinë e tyre ekonomike. Pastaj varet nga sa rrugë do të bëjnë këto tri skuadra dhe e katërta që do të kualifikohet.

Por kujdes, mos e ngatërroni Championsin e ri me Superligën. Turneu i kërkuar me forcë nga Reali, Barcelona dhe Juventusi kishte një ‘vrimë të zezë’, që e bënte të papranueshëm për këdo që e do futbollin. Nuk kishte meritokraci dhe nuk shpërblente skuadrat më të mira të kampionateve të ndryshme, por hapte dyert për disa klube të zgjedhura, pavarësisht rezultateve.
Nuk do të jetë kështu Championsi ri, i menduar për të garantuar më shumë të ardhura për klubet e mëdha, por që nuk do të falë ata që gabojnë gjatë sezonit. Si Çelsi, për shembull, që ka investuar keq qindra milionë stërlina dhe është shumë larg zonës Champions në Premier Ligë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




