Gazeta Si – Qyteti i Meksikos do të jetë teatri i ndeshjes së parë të Botërorit të ardhshëm, kurse finalja do të zhvillohet në ‘Metlife Stadium’ të Nju Jorkut, më 19 korrik. Ndeshje do të luhen edhe në Kanada.
FIFA, nëpërmjet presidentit të saj Xhani Infantino ka bërë të ditura stadiumet që presin Botërorin 2026, që zhvillohet në Meksikë, SHBA dhe Kanada. Turneu me formatin e ri, me 48 skuadra, do ta luajë ndeshjen inauguruese në stadiumin e njohur ‘Azteca’, në Meksikë.

Një stadium historik, ku është zhvilluar mes të tjerash e ashtuquajtura ‘ndeshja e shekullit’ mes Italisë dhe Gjermanisë, 4-3, në 1970-ën. Ky stadium bëhet kështu i pari në histori, që pret një ndeshje të Kupës së Botës për tri herë, pas edicioneve të 1970-ës dhe 1986-ës.
Finalja e Botërorit 2026 është programuar të luhet në ‘Metlife Stadium’ të Nju Jorkut, në Nju Xhersi, më 19 korrik. Në ‘Hard Rock Stadium’ të Majemit luhet ndeshja për vendin e tretë dhe të katërt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




