Futboll

Elbasani-Flamurtari ia kalon Superiores për tifozë, vlonjatët ndihen të vjedhur nga gjykimi

Gazeta Si – Rilindja e Elbasanit ka bërë që stadiumi ‘Elbasan Arena’ të mbushet me tifozë si në kohërat më të mira të kësaj skuadre. Aq më tepër në një ndeshje si kjo e sotmja me Flamurtarin rival, që kishte më shumë tifozë se ndeshjet e Superiores. Ndoshta mbi 7 mijë. Përballeshin dy skuadra me traditë në futbollin shqiptar, me tituj kampion të fituar.

Kjo sfidë u mbyll në barazim, 1-1, me vlonjatët shumë të pakënaqur nga gjykimi. ‘Estrada Laver Alla vazhdon’ – shkruan klubi vlonjat në faqen e tij, duke iu referuar arbitrit lushnjar, që sipas drejtuesve dhe tifozëve të Flamurtarit, vendosi ndeshjen. Pastaj edhe një postim ironim me një fragment nga filmi “Tomka dhe shokët e tij”, ku fëmijët akuzojnë hajdutët.

Janë dy episodet që lënë pas shumë diskutime. Në pjesën e parë portieri i Elbasanit kontrolloi topin në limitin e zonës, ndoshta edhe jashtë saj, shumë e vështirë për t’u kuptuar qartë. Nëse e ka kapur jashtë, është karton i kuq.

Momenti më i diskutuar është një gol i anuluar i Flamurtarit në shtesë. Goli që do t’u jepte fitoren vlonjatëve, por që VAR-i e anuloi për një faull në nisje të aksionit. Faull që në fakt, edhe nëse është, është shumë i lehtë dhe nuK justifikon anulimin e golit.

Në rrjetet sociale të gjithë gjykojnë se Flamurtari është vjedhur sot në Elbasan, ku gjykimi dukej vërtet i njëanshëm. Elbasani mban vendin e dytë aktualisht në Kategorinë e Parë, pas Bylisit, kurse Flamurtari vendin e 4-t. Direkt në elitë ngjiten 2 vendet e para, 4 vendet nga i 3-ti tek i 6-ti bëjnë play-off mes tyre dhe në fund me vendin e 8-të të Superiores.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë