Gazeta Si – Janë luajtur sot edhe dy ndeshjet e tjera të javës së 22-të të Superiores, ku Vllaznia ka barazuar 1-1 në Laç, kurse Dinamo mundi thellë Erzenin, 0-4.
Në ndeshjen e luajtur në Laç pati shumë episode. Laçi kaloi në avantazh me një penallti të realizuar nga kapiteni Ujka. Vllaznia barazoi në fillim të pjesës së dytë, kur topi i gjuajtur nga Alivoda u devijua dhe shkoi në rrjetë. Laçi fitoi një tjetër penallti, por që VARi-i zhvlerësoi, ndërsa Mala i Vllaznisë ishte pa fat, pasi u ndal nga shtylla.

Për Vllazninë ishte barazimi i dytë radhazi, pas atij me Partizanin në Shkodër. Shkodranët mbajnë vendin e 3-të me 34 pikë, Laçi renditet i 6-ti, me 27 pikë.
Dinamo sot ka bërë ‘Nëndetësen’, siç e njohun të gjithë. Skuadra kryeqytetase ka shënuar 4 gola ndaj Erzenit dhe është ngjitur në vend të 5-të, duke iu afruar zonës së 4-shes, për më tepër që ka edhe një ndeshje për të luajtur, atë me Skënderbeun.
Për Dinamon shënuan në ndeshjen e sotme Hoxha, Kaçorri, Zabërgja dhe Bardhi. Erzeni nuk mundi të bënte asgjë sot në stadiumin e Rrogozhinës dhe pas kësaj humbjeje rrezikon më shumë rënien nga kategoria.
Pas 22 javësh kampionat, Superiorja udhëhiqet nga Egnatia me 47 pikë, e ndjekur nga Partizani me 37 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




