Futboll

Inter-Juventus, një titull psikologjik! Objektivi sot është destabilizimi i kundërshtarit

Gazeta Si – Derbi i Italisë, ndeshja që luhet sot në mbrëmje në ‘San Siro’, mund të përcaktojë shumë për sezonin. Milani shpreson për një barazim.

‘Jo, nuk është vendimtare’ – sintetizoi Inzagi. ‘Ndeshje e vështirë, por kampionati nuk përfundon në ‘San Siro’ – theksoi Alegri. Fjalët e tyre janë ‘të detyruara’ në një lojë fintesh reciproke. Pse? Sepse vërtet Inter-Juve nuk vendos titullin, por kush mund të thotë të kundërtën?

Të gjithë e dinë që ndeshja e sotme është një moment shumë i rëndësishëm për kampionatin. Në nivelin psikologjik mbi të gjitha, më shumë se për pikët. E para kundër së dytës, shkëputje apo parakalim… Apo gjithçka si më parë, një variant komod për Milanin, që në atë pikë do të shpresonte më shumë.

Në krahasim me ndeshjen e parë, pak gjëra kanë ndryshuar. Atëherë Interi ishte 2 pikë para, tani 1 pikë, plus ndeshja me Atalantën në fund të shkurtit. Në atë kohë ishte një Lautaro Martinez në formatin ‘Këpuca e Artë’, që i tillë ka mbetur, sot është një Vlahoviç që ndaj zikaltërve u zhbllokua dhe nuk u ndal më.

Për trajnerin interist ka vetëm një rezultat që mund t’i dhurojë buzëqeshjen, për atë juventin edhe një barazim është i vlefshëm. Pastaj kampionati mund të ketë zhvillime të ndryshme.

Si vijnë skuadrat në këtë përballje? Barazimi me Empolin e ka ndryshuar perspektivën alegriane: kalendari më i favorshëm dhe lodhjet në Champions të Interit mbeten gjithsesi një plus i rëndësishëm nga pikëpamja mentale.

Po Inzagi? Vështirë, madje e pamundur të pretendosh më shumë nëse shesh pas: të gjitha pengesat janë kaluar, një Superkupë e fituar dhe ajo fitore ndaj Fiorentinës që ka ngrohur shumë.

Pra, si Interi, ashtu edhe Juventusi, janë mirë, mbi të gjitha të plotë. Mungojnë vetëm Kuadrado dhe Milik. Për Inzagin rikthehen Barela dhe Çalhanoglu, Alegri ka gati Rabiot dhe Kiezën.

Do të luhet me formacionet më të mira. Interi luan me Darmian dhe Dimarko në krahë, Mkhitarian në mesfushë dhe Lautaro e Turam përpara. Përpara Somer do të jetë treshja Pavard-Açerbi-Bastoni.

Te Juventusi, Alegri ka në plan të aktivizojë nga fillimi vetëm Rabiot, Kieza e nis nga stoli. Përpara me Vlahoviç do të jetë Jildiz, në mesfushë Lokateli dhe MekKeni, në krahë Kostiç dhe Kambiaso dhe në mbrojtje, para Sheznit, Danilo, Bremer dhe Gati.

Modul që ndryshon dhe filozofi ndryshe, dihet. I njëjtë objektivi: destabilizimi i kundërshtarit. Më shumë se pikët peshon impakti psikologjik dhe ajo që do të vijë më pas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë