Futboll

Broja debuton me Fulhemin, Uzuni shkakton polemika me gjestin e heshtjes në Spanjë

Gazeta Si – Armando Broja ka debutuar sot me skuadrën e tij të re, Fulhemin. Vetëm një ditë pasi la Çelsin dhe kaloi në formë huazimi te kjo skuadër, ai luajti çerek ore në fundin e ndeshjes me Bërnlin në transfertë, që përfundoi në barazim, 2-2.

Është shumë shpejt dhe ndoshta në ndeshjen e radhës sulmuesi kuqezi mund të zbresë në fushë nga minutia e parë, apo të paktën të luajë një pjesë. Broja kërkon t’i shfrytëzojë këto muaj me Fulhemin për të rifituar formën sportive dhe për të qenë plotësisht gati për Europianin.

Myrto Uzuni ndërkohë është bërë protagonist në Spanjë me një gjest dhe jo me gol. Futbollisti i Kombëtares u fut në fushë në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes mes Granadës dhe Las Palnmasit, që u mbyll në barazim, 1-1.

Uzuni shënoi një gol dhe menjëherë vendosi gishtin tregues te hunda, duke bërë shenjën e heshtjes. Nuk është shumë e qartë se kujt i adresohej ai gjest, publikut apo stafit teknik, që e kishte lënë në stol në këtë ndeshje. Për fatin e keq të sulmuesit shqiptar, goli u anulua për pozicion jashtë loje, ndërkohë që polemikat mbetën.

Ndoshta nuk është momenti më i mirë për Uzunin dhe skuadrën e tij, që rrezikon shumë rënien nga La Liga. Një situatë që sjell edhe pak nervozizëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë