Drejtësia

Pjesë e grupit kriminal, SPAK sekuestron rreth 1 mln euro pasuri të ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri

Gazeta Si - SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë 1 milion Euro të ish-shefit të Operacionales Oltion Bistri, apo familjarëve të tij.

Në një njoftim zyrtar, SPAK informon se nga hetimet e kryera dhe provat e administruara deri tani, është evidentuar se që nga viti 2015 e në vijim i hetuari Oltion Bistri dhe familjarët e afërm të tij kanë kryer disa transaksione të dyshimta në lidhje me shitjen dhe blerjen e pasurive të paluajtshme në një vlerë totale rreth 1 milion Euro.

Në këto kushte nga Prokuroria e Posaçme është vendosur sekuestrimi për pasuritë e mëposhtme:

1. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro, e ndodhur në Tiranë.

2. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.

3. Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 125 (njëqind e njëzet e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 300 000 (treqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.

4. Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 95 (nëntëdhjetë e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 230 000 (dyqind e tridhjetë mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.

5. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament banimi, me sipërfaqe totale 110.6 m2, me çmim shitje 50 300 Euro e ndodhur në Tiranë. 

Ndërkohë vazhdojnë me intesitet hetimet me qëllim sqarimin e plotë të fakteve objekt hetimi, sqarimin e plotë të përgjegjësisë penale për të gjithë personat e përfshirë, si dhe hetimin e plotë financiar të gjithë të dyshuarve si autorë të veprave penale objekt hetimi.

Ish-shefi i Forcave Operacionale Oltion Bistri është i arrestuar dhe ka masë sigurie arrest në burg në kuadër të hetimeve të operacionit “Metamorfoza”.

Procedimi penal i nisur në vitin 2023 është regjistruar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Oltion Bistri është arrestuar në kuadër të operacionit policor "Metamorfoza", bashkë me ish-kryeprokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita, si dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka, të cilët vijojnë të qëndrojnë në qeli, të akuzuar për disa vepra penale, mes të cilave “vrasje”, “trafik narkotikësh” dhe “korrupsion i gjyqtarëve”.

Për llogari të këtij hetimi janë arrestuar gjashtë persona ndërsa nëntë të tjerë, mes të cilëve anëtarë të fisit Bajri në Shkodër, si edhe Ervis Martinaj, janë shpallur në kërkim. Sipas SPAK, ata janë përfshirë në disa episode të rënda kriminale të ndodhura në vitet 2020-2021.

Komunikimet e tyre, nën emra të koduar në aplikacionet “Sky” dhe “Encro Chat”, iu servirën SPAK nga autoritetet franceze, belge dhe holandeze të drejtësisë.

Sipas prokurorisë së Posaçme, referuar përmbajtjes së bisedat të transkriptuara, të dyshuarit në role të caktuara japin dhe marrin porosi për vrasje, koordinojnë veprime kriminale, si edhe mbajnë kontakte për favore të tyre me zyrtarë të drejtësisë dhe policisë.

Bistri rezulton se ka biseda telefonike komunikime me Ervis Martinajn, duke i dhënë informacione të ndryshme, por edhe për aksionet që bëheshin për kapjen e tij. Këto komunikime i përkasin kohës kur Oltion Bistri është emëruar në detyrën e drejtorit të Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit.

Komunikime janë evidentuar edhe me biznesmenin Pëllumb Gjoka. Bistri e ka toleruar këtë të fundit pas konstatimit të shkeljeve në biznesin e tij të lojërave të fatit. Përveç shkeljeve, prokuroria argumenton se Bistri komunikonte me biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe për ta lajmëruar për kontrolle në një biznes të tij në zonën që mbulohet nga komisariati 2. Këto komunikime i përkasin kohës kur Bistri ishte shefi këtij komisariati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë