Gazeta Si – Qëndrim Zyba është transferimi i radhës për Ballkanin. Mesfushori që luan edhe për Kosovën, transferohet te Legia e Varshavës, ku luajnë edhe Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka.
Nga kjo lëvizje Ballkani përfiotn 500 mijë euro, një shumë e konsiderueshme kjo. Për më tepër, është shitja e katërt që kampionët e Kosovës bëjnë brenda një kohe të shkurtër. Më parë ekipi kosovar ka shitur Ermal Krasniqin, Albion Rrahmanin dhe Meriton Korenicën, që të tre lojtarë të sulmit.

Ballkani, që drejtohet nga trajneri i njohur shqiptar, Ilir Daja, përveçse po arrin rezultate shumë të mira në Kosovë dhe duke shkuar dy herë në grupet e Ligës së Konferencës, po mbush edhe arkat nga talentet e veta. Ky ekip është vërtet një minierë dhe ndoshta mund të jetë i vetmi në kampionatin kosovar që mund ta ketë bilancin me plus.
Në anën tjetër, klubi investon menjëherë për të marrë lojtarë të rinj, për të mos e humbur nivelin konkurrues në kampionat dhe në Europë. Një tjetër lojtar që mund ta largohet nga kampionët në fuqi të Kosovës është kapiteni Edvin Kuç.
Në krahasim me skuadrat e Superiores në Shqipëri, Ballkani po bën shumë më mirë në nivelin sportiv së pari dhe pastaj edhe në nivelin ekonomik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




