Futboll

Taremi mund të quhet që tani lojtar i Interit, sulmuesi iranian do firmosë për 3 vjet

Gazeta Si – Interi ka në dorë tashmë sulmuesin iranian Mehdi Taremi. Pasi hodhi bazat e akordit fillimisht me njerëzit pranë lojtarit, ditët e fundit klubi zikaltër ka bërë edhe komunikimin zyrtar me Porton, klubin aktual të iranianit, se dëshiron që të bisedojë zyrtarisht për transferimin e mundshëm në Itali.

Bëhet fjalë për një transferim në verë, kur Taremi të ketë përfunduar kontratën me ekipin portugez. Ky është një akt forma i nevojshëm për një lojtar pa kontratë. Sulmuesi aktualisht është i impenjuar në Kupën e Azisë me kombëtaren e tij.

Taremi është gati të firmosë një kontratë trevjeçare me Interin dhe me përfundimin e turneut aziatik pritet që gjithçka të marrë formë zyrtare me të zezën mbi të bardhë. Për vizitat mjekësore koha pret, por komunikimi zyrtar i Interit me Porton do të thotë se gjithçka është e mbyllur tashmë.

Sulmuesi iranian do të bashkohet kështu me Lautaro Martinez, Turam, Arnautoviç dhe me shumë mundësi Valentin Karbonin. Argjentinasi, aktualisht te Monca, në qershor do të kthehet në Milano dhe do të vlerësohet mundësia për ta mbajtur në skuadër. Interi beson shumë tek ai, prandaj dhe ka refuzuar një ofertë prej rreth 20 milionë eurosh nga Fiorentina. Karboni konsiderohet një talent.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë