Gazeta Si – Nga ajo humbje 0-5 ndaj Tiranës, pas së cilës trajneri Edlir Tetova tha se kishte parë sjellje të çuditshme në rastet e golave të pësuar, Egnatia e tij ka marrë tri fitore radhazi. E fundit është kjo e sotmja ndaj Erzenit, me përmbysje nga 1-2 në 3-2. Një tregues i qartë për forcën e kësaj skuadre, që tashmë titullin nuk mund ta konsiderojë më ëndërr.

Egnatia është shkëputur 10 pikë nga Partizani i vendit të dytë (46-36). Një diferencë e madhe për kampionatin shqiptar, që u lejon rrogozhinasve edhe ndonjë hap fals në vazhdim të kampionatit, ndoshta që në sfidën direkt me rivalët kryesorë fundjavën e ardhshme.
Edhe pse ka shitur disa lojtarë të rëndësishëm në merkaton e dimrit, Egnatia mbetet skuadra më e konsoliduar e Superiores, që di të zgjidhë edhe situata të vështira, si sot ndaj Erzenit, ku u gjend dy herë në disavantazh dhe ia doli të merrte trepikëshin.
Titulli kampion këtë sezon duket i destinuar për të shkuar në Rrogozhinë, por fjalën e fundit do ta thotë ‘Final 4’, ku pikët zerohen dhe ecuria në kampionat pak vlerë ka. Ajo që e bën Egnatian pretendente kryesore është loja e saj si skuadër dhe personaliteti që ka fituar tashmë në elitë, edhe pse përfaqëson një qytet të vogël.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




