Futboll

Elozhe nga shtypi italian për Kristjan Asllanin: Tani Inzagi ka edhe ‘pilotin’ e dytë

Gazeta Si – Më në fund Kristjan Asllani duket se ka bindur të gjithë skeptikët për vlerat e tij dhe për faktin se është një lojtar i rëndësishëm për Interin. Vetë mesfushori shqiptar pohoi pas ndeshjes me Fiorentinën se ka marrë vendimin e drejtë për të qëndruar te kjo skuadër.

Shtypi italian ndërkohë e ka veçuar paraqitjen e Asllanit në Firence, duke i thurur elozhe lojës së shqiptarit. Mesfushori është vlerësuar me notën 7, çka do të thotë se ka bërë shumë mirë në atë 90-minutësh.

“Pa frikë, pas një viti e gjysmë, mund të thuhet se trajneri Inzagi më në fund mund t’i shtojë Çalhanoglu, udhëheqësit kryesor të sediljes së ‘playmaker’-it, një ‘pilot’ të dytë brenda një kohe të shkurtër”. Ky është përshkrimi për lojën e Asllanit, që tashmë mund ta zëvendësojë pa frikë turkun e Intrerit në rolin e regjisorit.

Me nota mjaft pozitive për mesfushorin shqiptar foli pas ndeshjes me Fiorentinën edehe trajneri Simone Inzagi. Ai theksoi se është i lumtur që ka në skuadër një lojtar të tillë dhe se Asllani e kishte shënuar ‘golin’ e tij në Firence.

Forma e mirë e Asllanit është shumë e rëndësishme edhe për Kombëtaren shqiptare para Europianit të Gjermanisë. Ai është një nga titullarët kryesorë të kuqezinjve dhe trajneri Silvinjo shpreson ta ketë në gjendjen optimale në muajin qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë