Futboll

Asllani bind edhe si titullar, Lautaro Martinez rikthen Interin në vend të parë

Gazeta Si – Një goditje me kokë e sulmuesit argjentinas, pas krosit të mesfushorit shqiptar, i dha Intrerit një trepikësh shumë të rëndësishëm në Firence. Zikaltrit parakalojnë sërish Juventusin një javë para përballjes mes tyre.

Në ndeshjen përmbyllëse të javës së 22-të të Serisë A, Interi mundi 0-1 Fiorentinën. Një javë nga derbi i Italisë, skuadra e Simone Inzagit merr kreun e klasifikimit, +1 nga Juventusi dhe me një ndeshje më pak.

Në ‘Franchi’ u luajt një ndeshje e luftuar dhe mjaft argëtuese. Vendosi një goditje e saktë me kokë e Lautaro Martinez në minutën e 14-të. Ishte goli i 19-të në kampionat për kapitenin e Interit. Njeriu tjetër kopertinë i ndeshjes ishte portieri Somer. Ai bëri një pritje të mrekullueshme ndaj Bonaventurës në pjesën e parë, kurse në të dytën priti penalltinë e Niko Gonzalez.

Një paraqitje mjaft të mirë ka bërë mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani. Ai luajti titullar dhe sipas shtypit italian, i ka dhënë përgjigjen e duhur trajnerit Inzagi. Asllani dha krosin në rastin e golit të vetëm, por në total paraqitja e tij ishte në një nivel të kënaqshëm. Një paraqitje që me siguri do t’i sjellë më shumë minuta në vazhdim futbollistit të talentuar kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë