Gazeta Si – Mesfushori shqiptar do të luajë nga minuta e parë ndaj Fiorentinës. Deri tani nuk ka luajtur asnjëherë titullar në kampionat, ndërsa në Champions dhe në Kupën e Italisë nuk ka qenë në nivelin e kërkuar. ‘Gazzetta dello Sport’ i ka kushtuar një artikull të veçantë këtij fakti.
Deri më sot Hakan Çalhanoglu nuk ka humbur asnjë ndeshje të Serisë A 2023-2024. Ka qenë gjithmonë titullar dhe kjo shpjegon pse Kristjan Asllani nuk ka nisur asnjë ndeshje nga fillimi në kampionat.

Të mbash peshën e turkut është e rëndë, por rasti është i artë. Talenti 21-vjeçar shqiptar që ka një vit e gjysmë që ka bërë kalimin nga Empoli tek Interi, duhet të largojë dyshimet kur topi peshon vërtet.
Në krahasim me sezonin e parë si zikaltër, statusi i Asllanit ka ndryshuar, patjetër. Sezonin e parë ai pagoi edhe spostimin e Çalhanoglu në regjisor, si zëvendës i Marcelo Brozoviç, kështu që u gjend si zëvendësues i zëvendsuesit. Pas dy kampionësh është e vështirë të gjesh hapësirë.
Këtë vit skenari ka ndryshuar dhe me largimin e kroatit tek Al-Nasr trajneri Inzagi e aktivizon më shpesh shqiptarin, gjithmonë nga stoli. Asllani ka treguar kualitetin për të cilin është marrë nga Empoli në verën e 2022-shit: personalitet, vizion loje dhe këmbë të rafinuara. Ajo që i duhet tani Interit është që regjisori të dalë nga inkubatori.
Në moshën 21-vjeçare, Asllani ka gjithë kohën që të mësojë sekretet e rolit më delikat, por në këtë moment Inzagit i duhet pak më shumë shpejtësi. Të administrosh topin në 20 minutat e fundit është një gjë, ta bësh nga fillimi në ndeshje delikate është një gjë tjetër.

Këtë sezon Asllani ka pasur 3 raste si titullar në Champions dhe Kupën e Italisë. I pari ishte ndaj Real Sociedad në Spanjë, ku mungonte Çalhanoglu, dy të tjerët erdhën nga ‘turnover’-i masiv ndaj Benfikës dhe Bolonjës.
Përtej faktit që Interi nuk ka fituar asnjë nga këto ndeshje, shqiptari nuk ka bindur në asnjë rast. Në Firence nuk lejohet një tjetër stonim, duke parë momentin e kampionatit, me Juventusin që kryeson renditjen me një ndeshje më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




