Futboll

Bild s’ka asnjë dyshim: Mbape i Realit në qershor, përfiton 70 milionë euro në 5 sezone

Gazeta Si – Është transferimi i merkatos më i përfolur i dy viteve të fundit, një ‘martesë’ që tani duket se është vendosur se do të bëhet vërtet. Kilian Mbape do të luajë për Real Madrid sezonin e ardhshëm.

Lajmin e bën të sigurt e përditshmja gjermane ‘Bild’, sipas së cilës fenomeni francez ka vendosur përfundimisht të lërë PSG-në në fund të kontratës, më 30 qershor 2024. Detajet e fundit për t’u saktësuar kanë të bëjnë me pagën e sulmuesit, që është sigurisht edhe pjesa më e rëndësishme e bisedimeve.

Mbape luan në Paris prej 2017-ës, kur kaloi nga Monako, ku ishte rritur dhe kishte shpërthyer. Fërkimet me klubin dhe vullneti për të ndryshuar ambient nuk janë diçka e re për Mbape. Me 167 gola në 193 ndeshje ai ka fituar 5 tituj, 2 Kupa Lige, 3 Kupa France dhe 4 Superkupa, por janë gjithmonë daljet e parakohshme nga Championsi që kanë krijuar zhgënjim te lojtari.

Kampioni i botës në 2018-ën është gati të shkojë në Madrid, ku pritet të firmosë për 5 sezone. Kontrata, sipas ‘Bild’, i garanton 70 milionë euro dhe pikërisht paga e lartë është pengesa e fundit që duhet të kalojë Reali. Flitet për një bonus të lartë për firmën, më shumë se 100 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë