Futboll

Ceferin i prerë: Sa të jem unë, nuk do ketë finale Championsi në Arabinë Saudite

Gazeta Si – Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, nuk e sheh me shqetësim joshjen nga Arabia Saudite për bigët e futbollit dhe sporteve të tjera. Ai ka bërë të qartë se nuk do të lejojë kurrë zhvillimin e një finaleje Championsi në këtë vend.

“Kam dëgjuar disa persona të thonë se do të ishin shumë të lumtur, nëse arrijnë ta organizojnë këtë gjë, – u shpreh Ceferin në një intervistë për ‘Telegraph’, duke përjashtuar mundësinë për një finale Championsi jashtë Europës gjatë mandatit të tij. – Askush nuk më ka folur për këtë çështje konkretisht.

Aleksandar Ceferin, presidenti i UEFA-s. Gazeta Si, 24 janar 2024

Nuk do të ndodhë kurrë. Tifozët kanë treguar kaq shumë respekt për futbollin, sa që nuk mund t’ua bëjmë asnjëherë një gjë të tillë”.

Ceferin foli më tej për futbollistët që kanë shkuar të luajnë në Arabinë Saudite dhe që duket se janë penduar e duan të kthehen në Europë. “Nuk jam i shqetësuar, sepse futbolli ka rrënjë shumë të forta. Kjo është pjesë e kulturës, e historisë sonë. Nuk mund ta blesh.

Futbollistët shkojnë atje, sepse kontratat janë shumë të larta. Për këtë nuk i gjykojmë. Nëse janë afër fundit të karrierës, ndoshta është një aventurë e re dhe përfitojnë një ‘thes’ me para. Nuk dua t’i bëj me faj, apo diçka të tillë. Por të thuash se shkojnë atje për të ndihmuar është pak a shumë një shaka”, – përfundoi Ceferin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë