Futboll

Realit i duhen 99 minuta dhe VAR-i të përmbysë vendin e fundit, sa shumë polemika!

Gazeta Si – Ka ndodhur gjithçka në javën e 21-të të La Ligës. Një fitore e çmendur e Real Madrid, që përmbysi Almeiran e vendit të fundit nga 0-2 në 3-2. Ramazani dhe Gonzalez shënuan për miqtë, pastaj Belingham, Vinicius dhe Karvahal në minutën e 99-të kthyen rezultatin.

Shumë polemika dhe rezerva për gjykimin e kësaj ndeshjeje. Nisja ishte shokuese për Realin, që pësoi gol pas 38 sekondash. Në fundin e pjesës së parë Almeira dyfishoi me Gonzalez, që e çoi topin nga distanca aty ku bashkohen shtyllat.

Në pjesën e dytë Ançeloti aktivizoi Brahim Diaz dhe Joselu. Shkurtoi distancën në minutën e 57-të i zakonshmi Belingham me penallti. Almeria shënoi më pas me Arribas, por goli u anulua për një faull të dyshuar të Lopi në nisje të aksionit. Madrilenët barazuan me Vinicius, që e çoi topin në rrjetë me shpatull. Me shumë dyshime edhe ky rast.

Belingham realizoi golin e 3-të, por pozicioni jashtë loje i Fran Garsia anuloi gjithçka. Presioni i Real Madrid solli golin e 3-të dhe të fitores në minutën e 99-të me Karvahal, pas një pasimi të Belingham. Reali shkon 51 pikë me shumë mund, por edhe me shumë polemika.

‘E gjithë bota e pa çfarë ndodhi”, – tha trajneri i Almerias, duke iu referuar gjykimit. Ançeloti nuk është dakord dhe pas ndeshjes u shpreh se të gjitha vendimet u panë në VAR.

Barcelona mundi Betisin 2-4, falë tripletës së Ferran Torres dhe një kryevepre të Zhao Feliks.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë