Politike

Masat ndaj Sali Berishës, zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas kërkesës së bërë nga deputetët

Nga Gazeta ‘Si’-Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin në lidhje me padinë e 1/5 së deputetëve të opozitës të cilët kërkonin pezullimin e masës së caktuar ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në argumentin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se deputetët nuk kanë paraqitur ndonjë fakt ose argument në lidhje me zgjedhshmërinë e papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre.

“Gjykata Kushtetuese vlerëson se kur një grup deputetësh vë në lëvizje Gjykatën për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, duhet që ai të argumentojë se është subjekt i parashikuar nga Kushtetuta dhe se i është cenuar një kompetencë e caktuar e parashikuar po nga Kushtetuta. Gjithashtu, ai duhet të pretendojë se është subjekt në konflikt ose është cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë.

Nëse këto elemente nuk arrijnë të identifikohen në kërkesën e parashtruar përpara Gjykatës, nuk mund të arrihet në një analizë dhe përfundim të qartë se cilit organ i takon të ushtrojë cilën kompetencë, si qëllimi final i shqyrtimit që bën Gjykata në rastin e zgjidhjes së mosmarrëveshjes së kompetencave”, thuhet në njoftim.

Mbledhja e Gjyqtarëve, thuhet më tej, vlerëson të theksojë se në jurisprudencën kushtetuese interesi i jo më pak se një të pestës së deputetëve nuk është vënë në diskutim në gjykimet e kontrollit kushtetues abstrakt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë