Futboll

Java e 20-të e Superiores/ Egnatia shkon sot në Kukës, Tirana në fushën e Teutës

Gazeta Si – Luhen sot dy nga pesë ndeshjet e javës së 20-të të Superiores. Egnatia kryesuese përballet me Kukësin në transfertë, kurse Tirana ndeshet me Teutën në Durrës.

Egnatia, skuadra që kryeson renditjen me 40 pikë, 5 para Partizanit të vendit të dytë, sot ka një provë të vështirë. Edhe pse Kukësi qëndron në vendet e fundit të tabelës, në fushën e tij është një kundërshtar shumë i fortë. Për më tepër, nga rrogozhinasit ka pasur disa largime me peshë, siç janë sulmuesit Isgandarli dhe Paulauskas.

Egnatia duke festuar pas nje goli. Gazeta Si, 19 janar 2024

Tirana, pas fitores me përmbysje në derbin me Dinamon, luan gjithashtu në transfertë. Shkon në Durrës për t’u përballur me Teutën e vendit të fundit që ka nevojë më shumë se kurrë për pikë.

Edhe në këtë ndeshje Tirana pritet të mos ketë të gatshëm kapitenin Filip Najdovski. Dy skuadrat kanë diferencë të madhe pikësh mes tyre në renditje, megjithatë pritet një ndeshje e luftuar, me durrsakët që do të bëjnë gjithçka për të marrë pikë mbijetesë.

Ndeshjet e tjera luhen të shtunën. Partizani ndeshet me Lacin, Vllaznia me Erzenin dhe Skënderbeu me Dinamon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë