Futboll

Zhoze Mourinjo rrezikon shkarkimin, shfaqet hija e De Rosit për stolin e Romës

Gazeta Si – Brenda një javë situata kaloi nga zërat e rinovimit, te zërat e shkarkimit. Derbi i humbur me ndaj Lacios dhe eliminimi nga Kupa e Italisë e kanë lëkundur fort pozicionin e trajnerit portugez. Por pika që mund ta derdhë gotën e Mourinjos, në tribunë i skualifikuar, mund të jetë humbja e rëndë me Milanin në kampionat.

Nuk bëhet fjalë vetëm për rezultate negative, 5 pikë prapa nga zona Champions edhe mund të rikuperohen. Në këtë situatë Roma e tij nuk di ku ka as kokën dhe as këmbët, nuk ka një projekt taktik, një ide loje dhe personalitetin e duhur për t’u ulur në tavolinën e të mëdhenjve. Ndaj tyre humb gjithmonë, duke përjashtuar Napolin me probleme këtë sezon.

E gjitha kjo në një atmosferë të nxehtë, të ushqyer nga deklarata që qartësisht nuk e ndihmojnë grupin. Gjithmonë kundër arbitrave, kundër kundërshtarit, kundër edhe klubit të vet. Me Friedkin, që në anën tjetër dëgjojnë pa aprovuar atë që ndodh.

Prandaj rinovimi ka qenë një argument që i ka ndarë palët. Nga një anë Mourinjo e konsideronte ‘të merituar’ për atë që ka bërë në të kaluarën, në anën tjetër klubi që do më parë të shohë rezultatet. Rezultate të vërteta, jo Ligën e Konferencës, apo finalen e Ligës së Europës.

Rezultat i vërtetë nga amerikanët konsiderohet kualifikimi në Champions, pra më shumë të ardhura për të shlyer borxhet dhe për ta administruar klubin me më pak sforco. Dhe dje dhe sot 4 vendet e para, të arritshëm me një grup me lojtarë si Lukaku, Dibala, Pelegrini, Beloti, Spinacola e Kristante, nuk vijnë kurrë.

Roma mbërrin gjithmonë me vonesë në finish, ndërsa Lacio në anën tjetër të qytetit luan në 1/8-at e Champions ndaj Bajernit, luan Superkupën e Italisë dhe është ën gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Dritë në njërën anë, errësirë në anën tjetër.

Mourinjo mund të largohet. Tani edhe populli romanist ka dyshime, klubi akoma më shumë. Orët e ardhshme do të qartësojnë më shumë situatën, por tashmë ka filluar të qarkullojë emri i Daniele De Rosit, i destinuar për t’u ulur në stolin e Romës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë