Futboll

Rei Manaj shënon dy gola vendimtarë, mesazh i fortë nga Turqia për Silvinjon

Gazeta Si – Rei Manaj po kalon një formë shumë të mirë në kampionatin turk. Sulmuesi shqiptar, jashtë Kombëtares për eliminatoret e Euriopianit, realizoi dy gola sot për Sivasporin, duke i dhënë 3 pikët skuadrës në ndeshjen jashtë fushe me Kajserisporin.

Ndeshja dukej se do të mbyllej në barazim, 1-1, por Manaj shënoi në shtesë fillimisht me penallti dhe më pas me një kundërsulm të shpejtë. Futbollisti lushnjar ishte lojtari më i mirë i ndeshjes për skuadrën e tij.

Dhe tashmë janë 8 golat që sulmuesi 26-vjeçar ka shënuar në këtë kampionat, një shifër e konsiderueshme që konfirmon formën e tij shumë të mirë, që mund t’i hapë rrugën rikthimit në Kombëtare për Europianin e Gjermanisë.

Manaj shton edhe më shumë vështirësitë e zgjedhjeve për listën përfundimtare të Silvinjos për Euro 2024. Çdo sulmues ka shanset e veta, në varësi të formës sportive, trajneri brazilian e ka bërë të qartë këtë parim. Dhe Manaj mund të jetë në avantazh ndaj emrave të tjerë, nëse vazhdon me këtë ritëm.

Gjatë kualifikueseve të Europianit trajneri Silvinjo është bazuar te Cikalleshi dhe Daku për qendrën e sulmit, ndërsa në krahë kanë luajtur Uzuni, Asani, Seferi e Muja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë