Futboll

Broja e kthen në favor të tij situatën, trajneri Poçetino: Të buzëqeshë më shumë!

Gazeta Si – Goli që Broja shënoi mbrëmjen e së shtunës ka lumturuar jo vetëm atë dhe tifozët shqiptarë, por edhe trajnerin Mauricio Poçetino. Duket se sulmuesi kuqezi po e kthen situatën në favorin e tij pas atij goli, që duhet të shërbejë si një pikënisje për të ardhmen.

Pas ndeshjes, trajneri Poçetino theksoi në konferencë shtypi se sulmuesi shqiptar ka potencial të madh dhe se pret shumë prej tij. Ai tregoi edhe këshillën e tij për sulmuesin shqiptar: të buzëqeshë sa më shumë!

“Ishte shumë e rëndësishme që Broja shënoi dhe duhet ta përdorë këtë ndeshje si një shtysë për t’u përmirësuar fizikisht dhe në etikën e punës. Ka potencial dhe duhet të bëjë një hap përpara, të qeshë më shumë dhe të jetë më pozitiv. Ai ka potencial shumë të madh dhe po flasim për një sulmues të ri këtu në Angli. Edhe në Europë është një nga ata me më shumë potencial.

Ne do mundohemi ta ndihmojmë që ta kuptojë se nuk është kurrë mjaftueshëm dhe duhet të punojë vërtet shumë. Ka vuajtur një dëmtim të rëndë, thuajse një vit jashtë fushave, ndaj dhe i duhet kohë. Nuk është e lehtë të jetë në nivelin që presim. Vërtet kemi nevojë për të, kështu që duhet ta nxitim.

I kam thënë të qeshë kur del në fushë, sepse kështu shënon. Është këshillë, mos e merrni negativisht. Ne bëjmë shaka shpesh me të, duke i thënë se ka nevojë të buzëqeshë për më shumë energji pozitive”, – tha trajneri i Çelsit mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë