Futboll

Brazili tani kërkon Mourinjon, por edhe portugezi është një pistë e komplikuar

Gazeta Si – Pasi humbi Karlo Ançelotin, i cili vendosi të rinovojë me Real Madridin, Brazili ka hedhur sytë te Zhoze Mourinjo. Portugezi në anën tjetër ka folur për të ardhmen, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë u shpreh se nuk do të merrej më me këtë çështje.

Trajneri i Romës në fakt iu përgjigj një pyetjeje në konferencë shtypi, por tema është rikthyer në fokus pikërisht nga interesimi i Brazilit. ‘Special One’ ka kontratë me Romën deri në qershor të 2024-ën, Friedkin nuk kanë marrë ende një vendim për drejtimin teknik të skuadrës për sezonin e ri dhe ai pret një sinjal.

Në këtë situatë, sipas ‘Corriere dello Sport’, Mourinjo u është përgjigjur pak a shumë kështu drejtuesve të Federatës Braziliane të Futbollit, pas kontaktit që ata kanë pasur me prokuratorin e trajnerit, Jorge Mendes: tani nuk mundem, sepse kam një kontratë me Romën, më pas të shohim. Edhe sepse në Brazil situata nuk është aq e kthjellët, me skuadrën në vend të 6-të në grup, që vë në rrezik pjesëmarrjen në Botëror.

Ka edhe një faktor tjetër jo pak të rëndësishëm, që mund të ndikojë në të ardhmen e Mourinjos. Tiago Pinto i ka ditët të numëruara te Roma. Në fillim të shkurtit ai pritet të largohet dhe kjo lëvizje indirekt forcon figurën e Mourinjos, i cili ka pasur shpesh përplasje me patriotin e tij. Roma po vlerëson për drejtor të ri sportiv profile si, Modesto dhe Masara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë