Gazeta Si – Për lojtarët e Kombëtares që luajnë në Europë nuk ka kohë për pushim, aktivitetet kanë nisur menjëherë për një pjesë të tyre. Myrto Uzuni e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë vit, duke shënuar për Granadën në Spanjë.
Sulmuesi kuqezi shënoi golin e parë ndaj Kadizit pas 22 minutash lojë, duke i hapur rrugën fitores 2-0 për skuadrën e tij. Një fitore që vjen pas një kohë të gjatë dhe që ndez shpresat e Granadës për mbijetesë në La Liga. Ajo mban vendin e parafundit në renditje, por kampionati ka edhe shumë javë.

Uzuni ka shënuar sot golin e 5-të në La Liga. Beratasi, i cili qëndroi në fushë 80 minuta, për Granadën ka qenë gjithmonë më i i rëndësishëm se në Kombëtare, ku nuk po arrin të shpërthejë me gola. Ndoshta i ka ruajtur për në Europianin e Gjermanisë, siç ka pohuar më parë.
Në fushë zbritën sot edhe dy titullarë të Kombëtares, Berat Gjimshiti dhe Nedim Bajrami. Ata ishin kundërshtarë në Kupën e Italisë, ku Atalanta fitoi 3-1 ndaj Sasuolos, duke kaluar në çerekfinale të këtij kompeticioni dhe në këtë raund do të ndeshet me Milanin.
Gjimshiti qëndroi në fushë 90 minuta dhe ishte në formën e tij të zakonshme. Bajrami u zëvendësua çerek ore para fundit të ndeshjes dhe vlerësimi për të ishte i dobët. Mesfushori sulmues në fakt ka pak kohë që nuk po gjen do formën optimale me skuadrën e tij në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




